Toni: Ju tregoj Pirlon si trajner. Juventusi t’i bëjë dhuratë… Pogba

10 Gusht 2020
13:15
Alfred Lleshi
back button

Paul Pogba do të ishte dhurata ideale për Andrea Pirlo, pas emërimit të tij si trajner i Juventusit. Kështu mendon ish-shoku i skuadrës së “maestro”-s, Luca Toni. Ndërkombëtari francez fitoi tetë trofe në katër sezone me bardhezinjtë, tre prej të cilëve kur lunate përkrah Pirlos, para se të kthehej në “Old Trafford”, më 2016. Pogba ka qenë i lidhur fort me një transferim në “Allianz” kohët e fundit. Ai është në sezonin e fundit të kontratës së tij me “Djajtë e Kuq”, megjithëse ekziston një mundësi për ta zgjatur atë marrëveshje me 12 muaj.

Francezi shprehu dëshirën për të ndërmarrë një sfidë të re larg Manchesterit vitin e kaluar, me Real Madridin, gjithashtu të interesuar për shërbimet e tij. Luka Toni, i tërhequr nga futbolli, që luajti me Pirlon në të dyja nivelet, klub dhe kombëtare, beson se Pogba do të ishte nënshkrimi i përsosur për të hapur një kapitull të ri te Juventusi. “Duke e njohur Andrea, ai do ta fillojë ndërtimin e Juventusit nga mesfusha, – tha Toni për “Tuttosport”.

Dhurata ideale do të ishte Pogba. Unë nuk e di nëse është e mundur, por sigurisht që do të ishte alternativa më e mirë. Andrea nuk do të jetë një trajner që përqendrohet te mbrojtja dhe kundërsulmi. Ai do që të dominojë topin dhe ta imponojë filozofinë që ka në ekipin e tij. Unë nuk e di se çfarë sistemi do të përdorë dhe nuk mendoj se kjo ka rëndësi. Andrea është inteligjent dhe fleksibël”.

Fabio Capello paralajmëroi se Pirlo do të përsërisë suksesin e Antonio Conte te bardhezinjtë, por Toni mendon se ai ka më shumë të përbashkëta me trajnerin e Manchester City, Pep Guardiola: “Andrea është i mençur si karekter, ngjason më shumë me Pep. Përsa i përket menaxhimit të grupit, ai ishte me fat që ka pasur trajnerë dy nga më të mirët: Carlo Ancelotti dhe Max Allegri. Të gjitha përvojat janë të dobishme, por në fund të fundit, ai do të jetë vetvetja. Ai do të jetë Pirlo dhe do të udhëhiqet nga vetja. Pa pretenduar, ose kopjuar askënd”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit