Topi kalon për shqiptarin, Calhanoglu në “bokse”. Asllani duhet ta bindë Interin për të ardhmen

14 Janar 2025
8:40
Alfred Lleshi
back button

Një derë mbyllet, një tjetër hapet. Është e vështirë të shihet kështu për tifozët e Interit. Dëmtimi i Hakan Calhanoglu, i cili do të qëndrojë në “infermieri” për të paktën 15, 20 ditë, është një nga ato që rëndon shumë. Pak lojtarë si mesfushori turk kanë aftësinë për ta formësuar skuadrën rreth tij.

Flitet shumë për aftësitë e tij në lojë, por edhe në leximet mbrojtëse, ish-lojtari i Milanit bën diferencën. Ai është ingranazhi më i çmuar në mekanizmat e Simone Inzaghit, mungesa e të cilit ndihet më shumë. Duke folur për Milanin… është e lehtë të imagjinohet se Hakan do të bëjë gjithçka për të qenë në derbin e 2 shkurtit. Nuk është aq e qartë se ai do të ketë sukses, por do të shihet.

Në mungesë të tij, topi kalon te Kristjan Asllani. Pas paraqitjes së mirë në Venecia, mesfushori shqiptar duhet të marrë kontrollin edhe ndaj Bologna, edhe sepse alternativa, Piotr Zielinski, do të duhet të mbushë vendin e lënë bosh, për një periudhë më të shkurtër kohore, nga Henrikh Mkhitaryan. Armeni pritet të kthehet ndaj Empolit ose maksimumi kundër Sparta Pragës në Champions League.

Për ish-lojtarin e Empolit, i cili me shumë çiltërsi tha se mbylli rrjetet sociale pas kritikave të shumta që ranë mbi të pas Superkupës Italiane, dhe në këtë gjë mund të simpatizohet, përgjegjësia shkon paralelisht me okazionin e madh.

Pikërisht testi ndaj Milanit, objektivisht negativ edhe përtej faullit të Morata, për të cilin u ankua vetë Inzaghi, ka ringjallur dyshimet për mundësinë që Interi të fokusohet sërish te shqiptari në të ardhmen, veçanërisht duke e imagjinuar si pasuesin e Calhanoglu.

Pikëpyetje legjitime, edhe pse duhen balancuar me hapësirën që i është dhënë Asllanit, i cili ka startuar vetëm katër herë në sezon. Mund të ishte përmirësuar më shumë, nuk ka dyshim, por për ta bërë këtë duhet edhe vazhdimësia në lojë.

Mes Bologna dhe Empoli, duke qenë se Barella nuk ka “mushkëri të katërfishta”, do të presim edhe kohë të mëtejshme për Davide Frattesin. Thuajse si për të konfirmuar këshillën e Inzaghit, i cili, pavarësisht se përsëriti hierarkitë, i sugjeroi të qëndronte tek Interi, sepse në skuadra të mëdha është normale që të duhet të luftosh. A do të mjaftojë? Koha do ta tregojë…

Lajme të tjera

Lajmet e fundit