Tottenhamit zyrtarizon trajnerin e emergjencës, emra “big” për pasuesin e Mourinhos

20 Prill 2021
12:48
Alfred Lleshi
back button

Ryan Mason është emëruar si trajneri i ri i Tottenham deri në fund të sezonit, pas shkarkimit të Jose Mourinho, të hënën. Portugezi u lirua nga detyrat e tij pas 17 muajsh në krye të “Spurs”, vetëm gjashtë ditë para finales së “Carabao Cup”, sezoni 2020-2021. Mason, i cili kishte shërbyer si kreu i klubit për zhvillimin e lojtarëve, tani do të ketë për detyrë t’i japë klubit trofeun e parë të madh që nga viti 2008, si dh eta drejtojë skuadrën në pjesën e mbetur të sezonit.

Tottenham e ka konfirmuar lajmin me një deklaratë zyrtare, e cila thotë: “Pas largimit të Jose Mourinho, ne tani mund të konfirmojmë se Ryan Mason do të marrë detyrën si trajner i përkohshëm për pjesën e mbetur të sezonit. Ryan do të bashkohet me Chris Powell dhe Nigel Gibbs si ndihmëstrajnerë të përkohshëm dhe Michel Vorm, si trajner i përkohshëm i portierëve. Ledley King do të vazhdojë në rolin e tij si ndihmës i ekipit të parë”.

Presidenti i klubit, Daniel Levy, shtoi: “Ne kemi besim të madh në këtë skuadër lojtarësh të talentuar. Kemi përpara një finale të kupës dhe gjashtë ndeshje të Premier League. Tani do t’i përqendrojmë të gjitha energjitë tona në arritjen e një finaleje sa më pozitive të sezonit”.

Ndërkohë, kanë nisur të qarkullojnë emrat e parë për të zëvendësuar Mourinhon. Kuptohet që kërkimet e Tottenham për trajnerin e ardhshëm të përhershëm do të fillojnë së shpejti. Maurizio Sarri përflitet për këtë pozicion, pasi ka qenë pa punë që kur u shkarkua nga bardhezinjtë, gushtin e kaluar.

Edhe trajneri aktual i Leicester City, Brendan Rodgers, dhe ai i RB Leipzig, Julian Nagelsmann, gjithashtu janë të lidhur me stolin e “Spurs”. Interesant është fakti se edhe Carlo Ancelotti është hedhur në tryezë si një tjetër kandidat i profilit të lartë.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit