Procesi për ndarjen me akuza mes Francesco Totti dhe Ilary Blasi ka arritur në një fazë vendimtare, atë të seancës me dëshmitarë, të planifikuar për në shtator. Ish-lojtari fajëson për ndarjen ish-gruan e tij dhe lidhjen e saj të dyshuar me trajnerin personal, influencuesin Cristiano Iovino.
Megjithatë, Blasi pretendon se ajo u tradhtua nga ish-bashkëshorti me partneren e tij aktuale, Noemi Bocchi. Revista e përjavshme “Chi” konfirmon praninë e Iovino në gjykatë si dëshmitar. “As nuk duket se Blasi ka vendosur të thërrasë Noemi Bocchi për të dëshmuar, – shkruan revista në fjalë. – Ajo nuk ka nevojë, nuk duhet t’i kërkojë të konfirmojë lidhjen me ish-kapitenin e Romës”.
Krahas të kuptuarit se kush e shkaktoi në të vërtetë përfundimin e martesës mes Totti dhe Ilary para gjykatësit, ish-çifti do të diskutojë edhe për pagesën e mbështetjes së fëmijëve, që Francesco i detyrohet prezantueses televizive çdo muaj.
Avokatët e tij kanë kërkuar uljen e shumës fillestare, pra 12.500 euro në muaj, sepse pretendojnë se Ilary ka rritur fitimet e saj në periudhën e fundit falë dokumentarit “Unica” dhe se nuk i kërkohet më të mbështesë djalin e saj të rritur, Cristian, që luan futboll në Serie D, në Olbia.
Avokatët e Ilary Blasi, në vend të kësaj kanë kërkuar një rritje të kompensimit, sepse Totti fillimisht deklaroi pasuri më të ulëta se ato aktuale dhe mund të dokumentojnë se kostot reale për mirërritjen e fëmijëve janë më të larta se ato që ish-sulmuesi i kishte paraqitur gjyqtarit.
Ndërkohë, del në pah një detaj i bujshëm, një tjetër kthesë në këtë histori që i ka ngërthyer të gjithë: Ilary dhe Totti janë rikthyer ta ndjekin njëri-tjetrin në Instagram. Të dy duket se janë në nxitim për t’i dhënë fund përfundimisht martesës dhe ky gjest i vogël social mund të përfaqësojë një shenjë marrëveshjeje paqësore, pas një periudhe të gjatë tensioni.
Gjithashtu kjo shërben për t’i mbrojtur fëmijët e tyre Cristian, Chanel dhe Isabel, të cilët janë shumë të afërt me të dy prindërit.