“Trajneri Conte më kujton shumë babin tim, Diego. Ai ka pasion të fortë për futbollin”

17 Tetor 2024
8:25
Alfred Lleshi
back button

Giovanni Simeone, sulmuesi i Napolit, foli për “Radio CRC”. Ai u thellua në disa tema që lidhen me sezonin aktual, i cili duket se ka marrë rrjedhë mjaft pozitive pas ardhjes së Antonio Conte në pankinë: “Trajneri ka vetëm Napolin në mendje, më kujton shumë babanë tim, Diegon, sepse ka një pasion të fortë për futbollin.

Sheh gjithçka, pikas gjëra që të tjerët nuk i shohin. Kjo vjen nga përvoja e tij dhe numri i orëve të punës në këtë drejtim. Conte është një trajner i fortë, të bën të kuptosh menjëherë kur është e drejtë të sulmosh dhe kur është koha për t’u mbrojtur.

Gjëja më e rëndësishme për të është të hysh në mentalitetin e trajnerit. Duhet të punosh shumë gjatë gjithë ditës për të bërë atë që ai kërkon prej teje. Në momentin që hyn në mentalitetin e tij, trupi përshtatet shpejt. Puna me të ishte e vështirë që në fillim, veçanërisht në kampet stërvitore.

Trajneri dëshiron gjithmonë të ndryshojë stilin në bazë të cilësive të lojtarëve, sepse secili është i ndryshëm nga tjetri. Kështu ekipi është i fortë sepse nuk ka vetëm një strategji, por shumë. Kjo krijon vështirësi për kundërshtarët dhe na jep forcë për të gjetur zgjidhje të reja. Diçka e bukur dhe interesante, për ne futbollistët është mirë t’i shfrytëzojmë të gjitha idetë e trajnerit”.

Dy fjalë edhe për partneritetin me Lukakun: “Romelu më ka bërë shumë përshtypje. Si futbollist e njohim të gjithë prej vitesh, por si njeri është shok skuadre inteligjent, gjithmonë i ndihmon të tjerët. Kjo e bën atë lider, por edhe futbollist të madh. Mund të them se Neres, McTominay dhe Gilmour kanë ardhur gjithashtu me forcën e dëshirës për t’i ndihmuar shokët e tyre të skuadrës”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit