Trajneri i Argjentinës: Lautaro do të rritet së bashku me Messin te Barça

3 Qershor 2020
10:08
Alfred Lleshi
back button

Lionel Scaloni, trajneri i kombëtares së Argjentinës, tha se të luajturit përkrah Lionel Messi është diçka e mirë për yllin e Interit, Lautaro Martinez. Një zë më shumë në korin e atyre që e shohin “10” zikaltër te Barcelona. Sulmuesi i Albiceleste shënoi 16 gola në 31 ndeshje, në të gjitha garat, përpara se sezoni 2019-2020 të ndalej për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Ndërsa spekulimet mbi të ardhmen e Lautaro po rriten dita-ditës, kryeshefi i Argjentinës dha mendimin e tij për 22-vjeçarin: “Nëse luan me Messin, do të jetë më mire për të, pa dyshim. Përtej kësaj, ai do të duhet të luftojë për pozicionin e titullarit, ashtu siç bëri tek Interi. Ne duhet të jemi të qetë. Nëse ndryshon klub, ndoshta ai nuk do të jetë startues i padiskutueshëm. Sidoqoftë, kjo nuk do të ndikojë te ne, për sa kohë që aktivizohet një numër minutash të konsiderueshme, që i lejojnë atij të ruajë ritmin. Lautaro ka një të ardhme të madhe, ka akoma shumë për të dhënë”.

Ish-presidenti i Interit, Massimo Moratti, la të kuptohet se Lautaro mund të dëshirojë Barcelonën dhe se klubi zikaltër nuk mund të mbajë një futbollist, nëse ai dëshiron të largohet: “Ju nuk mund të mbani dikë që ka idenë të jetë diku tjetër. Kjo do ta vendoste atë në një pozitë delikate, të qëndrojë në mënyrë të pavullnetshme në “San Siro” ose, në çdo rast me impuls tjetër, në të njëjtin vend”. Sidoqoftë, drejtori sportiv i Interit, Piero Ausilio, këmbënguli se Lautaro nuk do të shitet për asgjë më pak se klauzola kontraktuale prej 111 milionë €.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit