Trajneri Pep Guardiola, në prag të ndeshjes miqësore që Manchester City doi të luajë ndaj Celtic, ka folur për të ardhmen e mesfushorit belg Kevin De Bruyne. Spanjolli tha se mesfushori nuk do të largohet nga Manchester City këtë verë.
Klubi Saudit i Pro League, Al Ittihad, ka qenë i lidhur me De Bruyne, i cili ka ende edhe një vit të mbetur në marrëveshjen e tij aktuale me “citizens”. De Bruyne pranoi se ai ka diskutuar për të ardhmen me gruan e tij Michele.
“Nëse dikush largohet, ne do të flasim për këtë”, shtoi Guardiola. “Sigurisht, deri në ditën e fundit, ne kemi shanse për të bërë transferime dhe nuk e përjashtoj mundësinë që të kemi lojtarë të rinj”, tha trajneri i City.
“Gjithsesi, mendoj se ka një shans 85/90 për qind që të kemi të njëjtën skuadër si dhe vjet. Ndihem rehat, sepse cilësia njerëzore që kemi në skuadër është e vështirë të zëvendësohet dhe cilësia është aty. Por do të shohim”, u shpreh Pep Guardiola.
“Nuk e di, në momentin e fundit do të shohim nëse dikush vjen dhe kush largohet. Ne do të vendosim”, tha Guardiola. Në qershor, De Bruyne tha se kishte marrë një ofertë marramendëse nga Arabia, e konsiderueshme për një lojtar në fund të karrierës.