Kur një vendim zgjat karrierën tuaj… Ky është sigurisht rasti me Axel Witsel. Belgu është 35 vjeç, por sezonin e kaluar ishte shpesh i pranishëm në fushë me Atletico Madridin, duke iu bashkuar gjithashtu kombëtares, që e thirri për Kampionatin Europian.
Shkak është edhe jeta e tij e dytë si qendërmbrojtës, rol që Diego Simeone i kërkoi ta bënte. Tashmë, që nga kthimi i tij në Spanjë, në vitin 2022, Witsel kishte filluar ta ulte qendrën e gravitetit të lojës së tij, duke u bërë zyrtarisht një nga mbrojtësit qendrorë në sezonin 2023-2024.
Duke folur për kanalet zyrtare të klubit, ai shpjegoi: “Në kokën time tashmë jam mbrojtës qendror. Në fillim më duhej të përshtatesha pak, sepse ishte një rol i ri për mua, por sezonin e kaluar u ndjeva shumë rehat”.
Vetë belgu shpjegon arsyen e kërkesës së “Cholo”: “Simeone donte më shumë dalje me topin nga pas dhe si mesfushor është një nga cilësitë e mia. Në ndeshjen e parë shkoi mirë. Falë ‘Cholo’ mund të luaj më gjatë në këtë rol, në maksimum. Marrëdhëniet e mia me Simeonen janë shumë të ngushta”.
Pas gati 2 vitesh mungese në kombëtare, Roberto Martinez e thirri për miqësoret para-europiane. Në Gjermani, Witsel ishte pjesë e grupit, megjithëse nuk doli kurrë në fushë, edhe për shkak të një problemi në ijë.







