Me dëmtimet e gjata të Davies dhe Upamecano, Bayern hyn në fazën më të nxehtë të sezonit me mungesa të rëndësishme. Sikur të mos mjaftonin dy mbrojtësit, edhe Neuer do të mungojë për disa ndeshje.
Plani i trajnerit Kompany është zbuluar nga mediat gjermane, kryesisht Abendzeitung, e cila raporton se Urbig ka marrë bekimin e klubit për të luajtur titullar në ndeshjet më vendimtare, sidomos atë me Interin në Champions League. A ka rrezik? Po, por koha e do kështu dhe Bayern është gati.
Ndërkohë, mungesat në mbrojtje do të kompensohen nga dy lojtarë. Ata janë Dier, lojtar me shumë eksperiencë, dhe Ito, i transferuar në Mynih gjatë merkatos së verës.
Dier është mjaftueshëm i përgatitur për këtë fazë domethënëse të sezonit, sepse ka ruajtur një nivel të qëndrueshëm performancash, kurse Ito vjen pas një dëmtimi mbi 3-mujor.
Ndërkohë, Guerreiro gjithashtu do të ketë shansin e tij për të luajtur në krahun e majtë të mbrojtjes. Dyshja tjetër e Bayern, Stanisic-Boey, është gati, por thjesht si opsione në rast urgjence.
Ata të dy kanë kaluar dëmtime gjatë këtij sezoni dhe ende janë larg formës që pritet prej tyre.







