Tre-katër gjigantë pas tij, Interi “nxjerr” në shitje Brozovic. “Fërkon duart” Kristjan Asllani

28 Janar 2023
9:17
Alfred Lleshi
back button

Brozović në “radarët” e Barcelonës, Real Madridit dhe Chelsea. Klubi zikaltër e vlerëson atë 30 milionë euro, teksa ka kontratë deri në vitin 2026. Sidoqoftë, Interi pranon se ka jetë edhe pa kroatin, madje kuptoi se nxjerrja e “regjisorit” në merkato mund të sjellë fryte të mira.

Kjo është një ide për merkaton e ardhshme, e cila është rritur kohëve të fundit. Ka mjaft interesime për mesfushorin kroat, që nga të mëdhenjtë e Spanjës te Chelsea, duke kaluar nga Juventusi, që është thirrur për t’u rindërtuar në muajt e ardhshëm.

Zikaltërit e kanë vendosur Brozovic në listën e shitjes si për arsye ekonomike, ashtu edhe teknike. Marcelo është ndër më të paguarit te zikaltrit, me rrogën prej 6.5 milionë euro deri në vitin 2026. Shitja e tij do të ishte një kursim i madh ekonomik.

Me siguri, duke pasur këtë llogari në mendje, Interi bleu shqiptarin Kristjan Asllani verën e kaluar. 21-vjeçari ynë kuqezi konsiderohet zëvendësuesi i kroatit. Pjesa e parë e sezonit ka treguar se Brozovic nuk është i pazëvendësueshëm. Pa kroatin, Simone Inzaghi ka gjetur zgjidhje alternative.

Për sezonin 2023-2024, me gjasë do të dëgjohen ofertat e mundshme. Është një ndryshim filozofik nga qëllimet e fillimit të sezonit, sepse në shtator kroati dukej se ishte kolona e të sotmes dhe të nesërmes së zikaltërve. Në verë pritet “ankandi”; Barcelona, Real Madridi dhe Chelsea janë ndër palët më të interesuara.

Mirë të shkojë jashtë Italisë, por më mirë të mos harrojë realitetin përreth. Juventusi mendoi të trokiste në derën e kroatit kur Marcelo nuk kishte rinovuar, sezonin e kaluar, dhe rreziku që të largohej nga “San Siro” ishte i vërtetë. Nëse në shtëpinë bardhezi nuk nxitohej situata gjyqësore dhe të kishte vend për merkato, menaxhmenti do ta vendoste Brozovic në krye të listës së dëshirave.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit