Tuchel: Si ta ndihmoj Neymar për golin, kur vetë kam shënuar vetëm dy në karrierë…

19 Gusht 2020
9:31
Alfred Lleshi
back button

Një Neymar i frymëzuar e ndihmoi PSG të arrinte në finalen e Ligës së Kampionëve, të martën, por fakti që braziliani nuk ishte lojtari më i mirë kundër RB Leipzig tregon forcën e frikshme të ekipit të Thomas Tuchel. Parizienët tashmë mund të besojnë te ngritja e këtij trofeu për herë të parë në histori.

28-vjeçari është bërë një lojtar i ndryshëm në vitin e tij të tretë në kryeqytetin francez. Dy sezonet e tij të para te PSG, pas transferimit prej 222 milionë euro nga Barcelona, u kushtëzuan nga lëndimet dhe spekulimet e vazhdueshme për një rikthim në “Camp Nou”.

Kur u bë e qartë verën e kaluar se një rikthim në Katalonjë nuk do të ndodhte, ai u tërhoq dhe vendosi më në fund të jepte maksimumin në Paris. Pasi shënoi me të dyja këmbët kundër Borussia Dortmund, në 1/8 finale, pak para se koronavirusi të ndalonte edhe futbollin, ai ishte i jashtëzakonshëm edhe në fitoren 2-1 të çerekfinales ndaj Atalantës, javën e kaluar, në Lisbonë. Akoma më mirë u paraqit mbrëmë, në fitoren 3-0 ndaj Leipzig.

Neymar nuk shënoi dot vetë, por fitoi dhe ekzekutoi goditjen e lirë, që solli golin e Marquinhos, ndërsa asistoi Angel Di Maria për golin e dytë. “Çfarë mund t’i them Neymar… Si mund ta ndihmoj atë të shënojë një gol, kur vetë kam shënuar ndoshta dy gola në karrierën time, – bëri shaka Tuchel. – Ai shënon në stërvitje, por po luan jashtëzakonisht mirë, është kaq i fortë. Neymar ka një mentalitet fitues, një uri për të fituar dhe për të treguar se është i aftë të jetë lojtari më i mirë në botë. Nëse shënon në finale, atëherë unë do të jem i lumtur”.

Neymar më vonë postoi një fotografi në Instagram të vetes, i shtrirë në tokë në agoni, një kujtesë për fatin e tij të keq me lëndime në dy sezonet e tij të para, pasi mbërriti në Paris për atë tarifë rekord botëror të 222 milionë eurove, më 2017, gjë që e ka bërë edhe më të vendosur për sukses tani. “Sot jam pjesë e skuadrës, pa asnjë lëndim, në gjendje të ndihmoj shokët e mi, në mënyrën më të mirë të mundshme”, – shkroi ai.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit