Tuchel zyrtarizohet në stolin e Anglisë, ja fjalët e para të trajnerit gjerman dhe drejtuesve të FA

16 Tetor 2024
10:56
Alfred Lleshi
back button

Thomas Tuchel u emërua zyrtarisht trajneri i ri i Anglisë. Drejtuesit e FA ia besuan ish-trajnerit të Chelsea dhe Bayern Munich, ndër të tjera, timonin e kombëtares, me synim lavdinë në Kupën e Botës 2026.

Federata Angleze e Futbollit (FA) konfirmoi të mërkurën se Tuchel është emëruar trajner i ri i kombëtares së “Tre Luanëve”. Gjermani ka nënshkruar kontratë 18-mujore, deri në fund të Botërorit 2026, që do të mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë. Tuchel pason kësisoji Gareth Southgate dhe do ta fillojë punën me “Tre Luanët” më 1 janar 2025, së bashku me asistentin Anthony Barry.

Anglia shpreson se Tuchel do të drejtojë kombëtaren drejt lavdisë, pasi pa që Southgate t’i udhëheqte “Tre Luanët” në gjysmëfinalet e Kupës së Botës 2018 dhe në finalet e Kampionatit Europian 2020 e 2024.

Zgjedhja e parë e FA për këtë punë raportohet se ka qenë trajneri i Manchester City, Pep Guardiola, por vendimi është marrë për të emëruar Tuchel, i cili ishte në dispozicion, pas largimit nga Bayern Munich në maj.

Tuchel arrin me një rekord të dëshmuar në këtë pozicion, pasi fitoi tituj gjatë kohës së tij me Borussia Dortmund, PSG, Chelsea dhe Bayern Munich. Sidoqoftë, drejtimi i Anglisë është eksperienca e tij e parë me ndonjë kombëtare.

Trajneri gjerman tha: “Jam shumë krenar që më është besuar drejtimi i kombëtares së Anglisë. Kam ndjerë prej kohësh një lidhje personale me futbollin në këtë vend, i cili më ka dhënë disa momente të pabesueshme tashmë. Të kem mundësinë të përfaqësoj Anglinë është një privilegj i madh. Mundësia për të punuar me këtë grup lojtarësh të veçantë dhe të talentuar është shumë emocionuese.

Duke punuar ngushtë me Anthony si ndihmësi im, do të japim gjithçka që mundemi për ta bërë Anglinë të suksesshme dhe përkrahësit tanë krenarë. Dua të falënderoj FA, në veçanti Mark dhe John, për besimin e tyre. Mezi pres ta fillojmë udhëtimin tone, së bashku”.

Drejtori ekzekutiv i FA, Mark Bullingham shtoi: “Ne jemi të emocionuar që kemi punësuar Thomas Tuchel, një nga trajnerët më të mirë në botë, dhe Anthony Barry, i cili është një nga trajnerët më të mirë anglezë për ta mbështetur atë.

Procesi ynë i rekrutimit ka qenë shumë i plotë. Para EURO 2024 kishim një plan emergjence, pastaj i përshkruam saktësisht cilësitë që do të kërkonim te trajneri i ri i kombëtares. Që kur Gareth dha dorëheqjen, ne kemi punuar në grupin e kandidatëve, duke filtruar një numër trajnerësh dhe vlerësuar ata sipas kritereve strikte.

Thomas ishte shumë mbresëlënës, u dallua me ekspertizën e tij të madhe. Anthony është një talent i lartë anglez, gjithashtu ka përvojë ndërkombëtare me Republikën e Irlandës, Belgjikën dhe Portugalinë.

Në thelb donim të punësonim një staf teknik tepër të përgatitur, për të na dhënë shansin më të mirë të mundshëm të fitimit të një kompeticioni të madh. Ne besojmë se stafi i ri teknik i kombëtares do të bëjë pikërisht këtë. Thomas dhe ekipi i tij kanë një fokus të vetëm për të na dhënë mundësinë më të mirë të mundshme për të fituar Kupën e Botës në vitin 2026.

Unë do të doja të falënderoja edhe Lee, që u rrit dhe bëri gjithçka që i kërkuam. Ai është një trajner shumë i talentuar dhe një pjesë e madhe e rrugës sonë tek Anglia. Tani do të fokusohet në ruajtjen e titullit të Europianit U-21. Mezi po presim Thomas dhe Anthony kur të fillojnë punën në janar”.

Tuchel bëhet trajneri i tretë i huaj që merr drejtimin e kombëtares së Anglisë dhe i pari nga Gjermania. Ai ndjek Sven-Goran Eriksson të Suedisë dhe italianin Fabio Capello në marrjen e kësaj “stafete”.

Trajneri i përkohshëm Lee Carsley do të vazhdojë ta drejtojë Anglinë derisa Tuchel të marrë rolin në fillim të vitit 2025. Anglia do të luajë me Greqinë dhe Irlandën në ndeshjet e Ligës së Kombeve në nëntor, ndërsa ndeshja e parë e Tuchel në krye të “Tre Luanëve” do të jetë në mars të vitit të ardhshëm.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit