Turneu ndërkombëtar i Doha, Calja i treti në shkëputje, Qerimaj i katërti në dygarësh

11 Dhjetor 2023
9:32
Telesport
back button

Në Doha të Katarit, u zhvillua turneu ndërkombëtar i peshëngritjes (Qatar IWF Grand Prix), turne ku Shqipëria u përfaqësua me dy shtangistë: Briken Calja dhe Erkand Qerimaj. Ata garuan në peshën 81kg, ku bënë një paraqitje të mirë.

Calja u klasifikua i treti në stolin e shkëputjes, duke ngritur 152kg në provën e parë dhe më pas 155 në të dytën. Calja nuk ngjitet më në pedanë, por me këtë peshë ai siguroi vendin e tretë në këtë stil. Në stilin e shtytjes, Calja nuk arrin të realizojë asnjë provë, duke zhgënjyer fillimisht me 186kg e më pas dy herë me 187kg. Për pasojë, ai nuk dha rezultat në dygarësh.

Erkand Qerimaj, në stilin e shkëputjes realizoi vetëm provën e dytë, kur ngriti 153kg. Në provën e parë ai dështoi me 151kg, ndërsa në të tretën nuk arriti dot të ngrejë 156kg, duke e mbyllur garën në vendin e katërt. Në shtytje, Qerimaj realizoi vetëm provën e parë, me 183kg, ndërsa nuk arrin të ngrejë dy herë 188kg, duke u renditur në vendin e 4-t. Edhe në dygarësh, me 336kg, shkodrani klasifikohet i katërti.

Dy shtangistët kuqezinj janë në kërkim të kualifikimit për në Lojërat Olimpike “Paris 2024”, teksa ende asnjë peshëngritës shqiptar nuk ka mundur rë kualifikohet. Shqipëria synon të arrijë normat në dy eventet e fundit të vitit tjetër, Europiani i Bullgarisë (shkurt) dhe Botërori i Tajlandës (mars).

Lajme të tjera

Lajmet e fundit