Holanda ka fituar me përmbysje (2-1) ndaj Turqisë dhe e sheh veten në gjysmëfinale të “Euro 2024”. Një “stacion” kontinental që e arrin pas më shumë se dy dekadash. Ndeshje shumë e luftuar, me dy tablo, ajo mes Turqisë dhe portokallinjve.
Pjesa e parë ishte më kërkuese për të besuarit e Montella, të cilët shënuan në minutën e 35-të me anë të Akaydin. Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë, ndërsa e dyta ishte histori krejt tjetër. Trajneri Koeman bëri menjëherë zëvendësim, duke hedhur në fushë qëndërsulmuesin Wout Weghorst.
Tashmë Holanda kishte një pikë referimi në sulm, topat krosoheshin më së shumti drejt tij. Shtatlarti holandez bëhet shqetësim serioz për prapavijën turke, ndërkohë që Depay vepron si sulmues i dytë, kryesisht mes linjave, duke i shpëtuar markimit të rreptë turk.
Inkursionet e tij janë të rrezikshme, sjellin pështjellim te kundërshtari, derisa doli në dritë goli i barazimin në minutën e 70-të. Krosimi në këndi e gjeti të zbuluar mbrojtësin holandez, i cili ngrihet në ajër dhe godet një “penallti me kokë”, duke barazpeshuar rezultatin.
Goditje psikologjike për Turqinë, që kishte shfaqur tashmë edhe shenja lodhjeje fizike. Portokallinjtë shfrytëzojnë momentin e mirë psikologjik dhe e spostojnë lojën në gjysmëfushën kundërshtare, në kërkim të golit të dytë dhe të epërsisë.
Në minutën e 76-të, Müldür ndihmon përmbysjen e madhe të portokallinjve, teksa shënon gol në portën e vet. Ky moment i lë të shokuar turqit, të cilët kishin dhënë gjithçka, duke shpresuar te kualifikimi në gjysmëfinale. Megjithatë, pas minutës së 70-të, Holanda ishte zotëruese e fushës së blertë, shënoi dy gola, duke u kualifikuar më tej në këtë Europian.
Në gjysmëfinale, kombëtarja e drejtuar nga Ronald Koeman do të sfidojë Anglinë, e cila nga ana e saj eliminoi sot Zvicrën pas 120 minutash lojë dhe penalltive. Gjysmëfinalja tjetër, sikurse dihet tashmë, është Spanjë-Francë.
Emocione të tjera të sigurta në raunin vijues të “Euro 2024”, i cili pret ta shpallë kampionin e ri të kontinentit më 15 korrik, në finalen e Berlinit. Tashmë në garë për këtë “kurorë” janë 4 skuadra, triumfuesin do ta zbulojë fusha e lojës. Holanda ka në gjirin e vet golashënuesin më të mirë të këtij Europiani, Gakpo, me 4 gola.