Pasioni dhe përkushtimi janë lajtmotivi i përsëritur nga Hansi Flick, trajneri që mori drejtimin e Barcelona-s pas Xavi Hernandez.
Në intervistën e dhënë për kanalet zyrtare të klubit katalanas, e cila do të transmetohet e plotë të hënën, ai flet për ndjesitë dhe emocionet e para që ka ndjerë me ardhjen e tij në planetin Blaugrana.
“Ndjeva që nga dita e parë pasionin e njerëzve. Tifozët. Presidenti. Të gjithë këtu, të gjithë ata që punojnë këtu, e kanë këtë pasion për Barçën. Devotshmërinë për të dhënë më të mirën për këtë klub.
“Dhe kjo është një gjë e rëndësishme edhe për ne, sepse ne duam të jemi pjesë e këtij klubi dhe të jetojmë këtë pasion dhe këtë përkushtim.
“Ne duam të japim gjithçka që kemi për ta çuar këtë klub në një nivel tjetër. Do të bëjmë gjithçka që mundemi”, tha trajneri gjerman.
Hansi Flick gjithashtu shpjegoi se ai gjithmonë ka ndier admirim dhe magjepsje ndaj Barcelona-s:
“Kur vendosa të bëhem trajner, shikova Barcelonën sepse ata luajnë futboll fantastik. Mund të shihni se si i zhvillojnë lojtarët. Të gjithë flasin për këtë”.
Ish-trajneri nënvizoi edhe atmosferën që është krijuar rreth tij dhe stafit të tij: “Ajo që po përjetojmë është e pabesueshme. Të gjithë tregojnë respekt”, tha ai.