Trajneri i Chelsea, Enzo Maresca, është vlerësuar si trajneri më i mirë i muajit shtator në Premier League. Një muaj pozitiv për “blutë” e Londrës, që mundën Bournemouth, West Ham dhe Brighton si dhe barazuan 1-1 në shtëpi me Crystal Palace.
Italiani bëhet trajneri i parë i Chelsea që fiton çmimin që nga koha kur ekipin e drejtonte Thomas Tuchel, në tetor 2021. “Kemi patur një muaj shumë të mirë“, tha Maresca, i cili vlerësoi gjithashtu kontributin e stafit të tij.
“Ne të gjithë kemi nevojë për njerëz rreth nesh për t’i përmirësuar gjërat. Unë jam shumë mirënjohës që i kam të gjithë ata”, u shpreh Maresca, që falënderon edhe lojtarët në fushë për lojën e tyre.
“Ne jemi gjithmonë duke parë gjëra të reja dhe se si mund të përmirësohemi. Skuadra është paraqitur mirë dhe vendi i katërt në Premier League është një vlerësim për atë çfarë kemi bërë”, tha Maresca.
Në fund, ai tha: “Kam vetëm 4 muaj në këtë klub, ndaj të gjithë duhet të punojmë më shumë për të arritur shumë më tepër rezultate. Jemi një ekip i ri, që ka nevojë për mbështetje dhe vlerësime nga të gjithë”.