UEFA ndryshon rregullat e “Euro 2024”? Sylvinho “fërkon duart”, mund të marrë 26 kuqezinj në Gjermani

29 Mars 2024
10:52
Alfred Lleshi
back button

Kampionati Evropian në Gjermani është vetëm pak muaj larg dhe një nga rregulloret e turneut mund të ndryshojë. Po, po, gjithçka është e vërtetë. Një lajm mjaft të mirë mund të marrin trajnerët, veçanërisht, që janë nën trysninë e madhe të listave përfundimtare të lojtarëve që do të marrin me vete në Gjermani.

Pas përfundimit të kualifikueseve për “Euro 2024”, të përmbyllura me ndeshjet e “play-off”-it, që shpërbleu Gjeorgjinë, Ukrainën dhe Poloninë si tre finalistët e fundit, trajnerët e kombëtareve do të takohen për të folur për skuadrat e tyre përkatëse.

Me pak fjalë, UEFA do të dëgjojë trajnerët për të kuptuar nëse do të modifikojë apo jo rregulloret që lidhen me numrin e lojtarëve të grumbulluar për Kampionatin Evropian. Trajneri i Anglisë, Gareth Southgate, para së gjithash e mbrojti këtë mundësi në një nga konferencat për shtyp të mbajtur gjatë angazhimeve ndërkombëtare:

“Ka shumë pikëpyetje mbi dëmtimet. Është e pashmangshme që ne të publikojmë një listë më të gjatë të lojtarëve të thirrur, gjë që bëmë edhe para Kampionatit të fundit Evropian, kur na lejoheshin 26 emra. Asokohe u lejua kjo prej pandemisë. Do të ketë një takim tjetër ku do të të diskutohet mes trajnerëve të kombëtareve mundësia e zgjerimit të listës”.

Siç raportohet nga “Daily Mail”, një zëdhënës i UEFA-s konfirmoi atë që njoftoi Southgate: “Ne kemi marrë parasysh komentet e shprehura nga disa komisionerë teknikë në lidhje me zgjerimin e listave për ‘Euro 2024’. Do të ketë një takim më 8 prill dhe me atë rast UEFA do të dëgjojë mendimet e trajnerëve”.

Po pse trajnerët e kombëtareve duan ta rrisin listën e lojtarëve nga 23 në 26 për finalet e Europianit të kësaj vere? Siç shpjegoi Southgate, çështja e dëmtimeve është gjithnjë e më problematike, duke pasur parasysh ndeshjet e shumta këtë sezon. Me pak fjalë, do të ishte një zgjidhje ideale për të pasur edhe disa lojtarë të tjerë në dispozicion.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit