UEFA pozicionohet për penalizimin me -15 pikë të Juventusit: Do ta shqyrtojmë gjithë dokumentacionin, pastaj…

28 Shkurt 2023
8:00
Alfred Lleshi
back button

Përmes fjalëve të Giorgio Marchetti, zëvendës sekretar i përgjithshëm, UEFA ndërhyri në çështjen e Juventusit, i dënuar me zbritjen e 15 pikëve nga renditja e kampionatit në vazhdim për çështjen e fitimeve kapitale dhe në pritje të gjykimit për “manovrën e pagave”:

“Ka hetime në vazhdim kundër Juventusit, që nuk kanë përfunduar ende. Ka një dënim tashmë të marrë, që mesa kuptoj do të apelohet. Do të presim të shohim dokumentacionin e të gjitha dosjeve për të kuptuar nëse ka ndonjë shkelje në lidhje me UEFA-n, me rregulloret tona.

Juve do të gjykohet si të gjitha klubet, pastaj do të duhet të vendosë se cili do të jetë pozicionimi i tij në Evropë”, – shtoi ai, duke iu referuar mbështetjes së klubit torinez për Superligën Evropiane. Dhe përsëri për turneun alternativ të Champions League:

“Një përpjekje për ndërmjetësim dhe afrim nga klubet e Superligës? Kjo përpjekje për afrim nuk varet nga UEFA, e cila përfaqëson interesat e të gjitha klubeve evropiane. Iu takon këtyre tri klubeve (Real Madridi, Barcelona, Juventusi) të vendosin se çfarë duan. UEFA nuk është një institucion monolit që merr vendime, ajo vendos në bashkëpunim me palët e interesit.

Dhe klubet janë palët e para të interesit. Ne mendojmë se Superliga është një rrezik, sepse është një projekt që dëshiron të përjashtojë. Prezantohet si një projekt që dëshiron të shpëtojë futbollin, por nëse është kështu, është për disa. Asnjë format nuk e ndryshon thelbin”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit