Në eventin UFC-309 zhvilluar sot në “Madison Square Garden” të Nju Jorku, është ngjitur në kafaz edhe një luftëtar me origjinë shqiptare. Bëhet fjalë për 32-vjeçarin Ramiz Brahimaj.
Në duelet eliminatore, ai mundi me KO në raundin e parë amerikanin Mickey Gall. Një duel pa histori, komanduar nga sportisti lindur në Nju Jork (prindërit me origjinë shqiptare).
Për Brahimaj, kjo ishte sfida e 16-të në karrierë, ku ka arritur 11 fitore e 5 humbje. Ai garon në peshën “welterweight” (pesha 71-77kg). Kjo fitore është vlerësuar si “performanca e mbrëmjes”.
Kjo ishte sfida e parë e Brahimaj në Nju Jork, para publikut të tij, teksa të gjithë karrierën e ka zhvilluar në Teksas. Pas fitores, ai mbajti një qeleshe mbi kokë, të cilën më pas ia vendosi në kokë edhe intervistuesit të tij.
“Një nga ndjesitë më të bukura në botë të dueloja e fitoja këtu para publiku tim. Kjo fitore është për të gjithë shqitarët që jetojnë në Bronx. Jam i lumtur për fitoren, falënderoj Zotin”, tha Brahimaj pas ndeshjes.
“Dy vitet e fundit kanë qenë shumë të turbullta për mua, por e dija se çfarë jam i aftë të bëj në kafaz. Jam ndjerë i mërzitur me veten time, por sonte e dija se do t’ia dilja mbanë”, tha Brahimaj.