Mes të gjithë gabimeve të bërë nga Manchester United në vitet e fundit, sigurisht është edhe një seri blerjesh të dështuara në merkato.
Në pesë vitet e fundit, klubi anglez ka shpenzuar plot 422 milionë euro, siç tregon bilanci, dhe tani po kërkon të limitojë shpenzimet.
Për ta bërë këtë po mendojnë edhe të largojnë edhe disa lojtarë dhe Antony është një nga këta.
I kërkuar nga vetë Erik ten Hag në momentin që holandezi mori drejtimin e Djajve të Kuq, futbollisti brazilian ka qenë një zhgënjim i madh dhe ka luajtur vetëm 139 minuta në total deri tani në këtë sezon.
Sipas Daily Mail, United do të kërkojë ta largojë me formulën e huazimit në merkaton e janarit.
Një strategji për ta ringjallur brazilian, me shpresën që vlera e kartonit të tij të rritet, për ta shitur më pas përfundimisht verën e ardhshme. Megjithatë, duket e vështirë që United të rikuperojë 95 milionë eurot e shpenzuara për të dy vite më parë.