Ish-futbollisti dhe trajneri i njohur, tashm në rolin e komentatorit sportiv, Jorge Valdano ka folur për Carlo Ancelottin dhe të ardhmen e tij te Real Madrid. Valdano ka thënë në “Movistar Plus” se “ligjin e futbollit e dimë të gjithë dhe në Madrid është akoma më tragjik.
Nëse humbet, askush nuk të shpëton. Askush nuk e di këtë më mirë se Ancelotti, që ka kaluar në klubet më të mëdhenj të botës. Të gjithë dëshirojmë që ky person të ketë sukses në jetën e tij, për natyrën e tij.
Sidoqoftë, kam përshtypjen se ne i kemi fokusuar kritikat tek Ancelotti dhe nuk flasim për ndërtimin e ekipit. Real Madridi ka mangësi dhe flitet pak për to, sepse ato janë të fshehura pas përgjegjësisë që po ia ngarkojmë Ancelottit. Duhet ta analizojmë këtë pas sezonit, me më shumë qetësi”.
Valdano ka përfunduar duke thënë: “Ka pasur sezone kur janë fituar tituj në mënyrë të mrekullueshme, që ndihmuan për t’i fshehur mangësitë e ekipit. Në vend që të analizohej funksionimi, analizohej rezultati.
Dhe kur njeriu është i lumtur, nuk nxjerr përfundime tragjike, por tani na jepet përshtypja se ka shumë probleme të grumbulluara dhe duhet të përgjigjemi për ato probleme. Problem te Real Madridi nuk është vetëm trajneri”.







