Van Basten karikon Milanin: T’i japim kohë Fonseca-s si trajner, Reijnders ndër mesfushorët më të mirë në botë

17 Dhjetor 2024
8:50
Alfred Lleshi
back button

Në faqet e sotme të “Gazzetta dello Sport” mund të lexohet një intervistë me Marco Van Basten, i cili të dielën mbrëma u fut në “Hall of Fame” të Milanit. Këto janë fjalët e “Mjellmës së Utrechtit”, duke filluar me një koment mbi përvojën e tij me fanellën kuqezi: “Për mua, ngjyrat kuqezi, tifozët dhe klubi do të mbeten gjithmonë diçka e veçantë.

Edhe pse jetoj në Holandë, kur luan Milani, gjëja e parë që kontrolloj është rezultati. Ndeshja që kujtoj me më shumë dashuri është finalja e Kupës së Kampionëve 1988-1989 në Barcelonë, kundër Steauas. Një ndeshje që na dha triumfin e parë ndërkombëtar pas vitesh pritjeje për klubin. Ishte përmbushja e ëndrrës së Berlusconit”.

A ju pëlqen ideja e lojës së Fonseca?
Nuk ka lojtarët e mëdhenj që ishin në kohën time, kështu që nuk është e lehtë të arrish gjithmonë rezultate pozitive. Edhe roli i trajnerit ka ndryshuar pas disa vitesh. Duhet t’i japim kohë Fonsecas të punojë dhe të kemi durim. Ibra? Nuk mendoja që do të bëhej drejtues, por ai ka kaluar shumë kohë në futboll dhe ka mjaft përvojë. Klubet kanë nevojë për njerëz që kanë luajtur dhe që e dinë se çfarë do të thotë të jesh futbollist. Ai mund të jetë një ndihmë e madhe për ta çuar Milanin sërish në majë.

A prisnit një Reijnders kaq vendimtar?
Shpërthimi i tij për mua ishte disi i papritur, sepse te AZ ishte mjaftueshëm i mirë, por… pa ekzagjeruar. Në Milano mbërriti në moshën 25-vjeçare, pra tashmë i formuar, ndaj nuk besoja se mund të bëhej kaq i fortë dhe të bënte kaq shumë përparim. Sot është një nga mesfushorët më të mirë në qarkullim.

Po për lojtarët e tjerë kuqezinj, çfarë mendoni?
Morata ka pësuar disa dëmtime. Për një sulmues nuk është e lehtë nëse mungon dhe nuk gjen lidhjen me golin. Leao është i aftë, shpesh kalon një ose dy kundërshtarë në driblim. Ka aftësi që nuk shihen shpesh. Portugezi ka një potencial të madh, por është në dorën e tij ta shfaqë plotësisht. Mund të rritet akoma dhe të bëjë më mirë.

Në Champions League, a janë të arritshme 1/8 finale?
Mungojnë edhe dy fitore për këtë, por në Europë nuk ka ndeshje të lehta. I uroj Milanit të shmangë ‘play off’-et dhe të shkojë direkt në 1/8. Të mendosh për të fituar Champions-in është shumë, por në të ardhmen mund t’ia dalë sërish.

Si ju duket sot Serie A?
Ka rivalitet, klubet italiane po mundohen të rifitojnë lavdinë e dikurshme. Personalisht ndiej shumë dhimbje ta shoh Interin që komandon. Milani po mundohet të rifitojë shkëlqimin e dikurshëm me pronarë të huaj, por epoka e Berlusconit mbetet e papërsëritshme. Ah sikur Milani të kishte më shumë italianë…

E ardhmja e Mlian quhet Camarda…

E di që është shumë i ri dhe kam parë disa nga veprimet e tij në ekipin e parë. Milani ka një xhevahir të artë në duart e tij, shpresoj se ai mund ta ndihmojë klubin të fitojë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit