Liverpool-i është sërish në formë. Pas fitores ndaj Gironës në Champions League, duke e çuar serinë e rezultateve pozitive në 18, ekipi i drejtuar nga Slot nuk ka ndërmend të ndalet dhe synon një tjetër fitore në përballjen e radhës në Premier League. Sot, të kuqtë do të përballen me Fulhamin në një ndeshje të vlefshme për javën e 16-të.
Kapiteni dhe mbrojtësi i Liverpool-it, Virgil van Dijk, foli për kanalet zyrtare të klubit: “Pas disa ndeshjeve në transfertë, plus anulimit të derbit të Merseyside javën e kaluar, mezi presim të kthehemi në ‘Anfield’ këtë fundjavë. E dimë sa i rëndësishëm është ky moment i vitit. Është një periudhë tepër intensive, ku çdo ndeshje kërkon përqendrim dhe vëmendje maksimale”.
Rreth kundërshtarit: “Fulhami nuk bën përjashtim. Është një ekip që mund të krijojë probleme për këdo, siç pamë fundjavën e kaluar, kur luajti shumë mirë kundër Arsenalit. Ka lojtarë të mirë, një trajner të aftë dhe luan gjithmonë me vetëbesim e bindje. E dimë këtë që nga sezoni i kaluar. U përballëm me ta katër herë dhe çdo ndeshje ishte e ekuilibruar. E dimë që duhet të punojmë shumë sot nëse duam të marrim tri pikët”.
Më herët, këtë javë, Van Dijk u përfshi në “FIFPRO Men’s World11” për vitin 2024: “Është një nder i madh për mua të jem emëruar në ‘FIFPRO Men’s World11’ këtë javë, së bashku me disa nga lojtarët më të mirë në botë. Të jesh i njohur nga bashkëlojtarët është gjithmonë diçka e veçantë. Jam jashtëzakonisht krenar që e marr këtë vlerësim për herë të katërt në karrierën time.
Gjithmonë them se vlerësimet individuale vijnë vetëm kur je pjesë e një skuadre të suksesshme. Prandaj dua të shpreh mirënjohjen time për shokët e skuadrës, trajnerët e mi dhe veçanërisht Jürgen Klopp e Arne Slot, të cilët më kanë ndihmuar të jap maksimumin në 12 muajt e fundit. Shpresoj që kjo të vazhdojë gjatë”.