Pas eliminimit në gjysmëfinalet e Euro 2024, mbrojtësi holandez Virgil Van Dijk ka nisur pushimet. Ai ka ende edhe një vit kontratë me Liverpool, të cilin ai pret ta respektojë edhe pse ofertat për të, kryesisht nga Arabia, nuk mungojnë.
Gjithsesi, 33-vjeçari shprehet se ende nuk ka vendosur se çfarë do të bëjë në të ardhmen. Në një deklaratë për mediat britanike, ai tha: “Nuk e kam as idenë më të vogël për momentin se çfarë do të ndodhë në të ardhmen”.
“Këtë verë do të mendoj me kujdes për atë se çfarë dua në nivel klubi dhe si lojtar në nivel ndërkombëtar. Më pas do të provojmë përsëri, por së pari do të filloj përsëri nga kjo. Pas një sezoni si ky, në të cilin ndodhën shumë gjëra, duhet të mendojmë”, tha Van Dijk.
33-vjeçari luan që prej vitit 2017 me Liverpool dhe në 270 ndeshje zyrtare me “reds” ai ka realizuar 23 gola. Pas largimit të trajnerit Jurgen Klopp është përfolur se edhe ai mund të lërë “Anfield”, por ende asgjë konkrete nuk ka ndodhur.