Vedat Muriqi duket se e ka mbyllur rrugëtimin e tij në La Liga dhe është pranë rikthimit në Superligën turke, aty ku më parë ka veshur fanellën e disa klubeve, por shkëlqeu me Rizespor dhe Fenerbahce, para se të transferohej në Serie A te Lazio për 21 milionë euro.
Media e njohur turke “Aksam.com.tr” raporton se është Besiktash që interesohet për sulmuesin shqiptar, pasi klubi turk pritet të ndajë rrugët me dy sulmuesit e saj, Semih Kilicsoy dhe Ciro Immobile, dhe Muriqi shihet si profili i duhur për të përforcuar sulmin e tyre.
Muriqi do të gjejë te Besiktas edhe dy shqiptarët e tjerë, Milot Rashicën dhe Ernest Muçin. Marrëveshja mes Besiktas dhe Mallorca-s pritet të arrihet për 5 milionë euro, aq sa vlen aktualisht kartoni i sulmuesit prizrenas.
Ndërkohë në rrjetet sociale të medias në fjalë ku është raportuar lajmi, nuk mungojnë as komentet e shumta të tifozëve të Fenerbahces, ku disa prej tyre e “etiketojnë” Muriqin si “tradhtar”.
Kujtojmë se Muriqi luajti për 1 sezon për Fenerbahce, 2019-2020, ku shënoi 17 gola në 36 ndeshje, duke arritur të fitojë dashurinë dhe respektin e tifozëve shumë shpejt.







