Vendi i fundit, Sylvinho e ndan përgjegjësinë: Kemi bërë keq të gjithë së bashku

20 Nëntor 2024
8:30
Alfred Lleshi
back button

Sylvinho mori përgjegjësitë pas disfatës ndaj Ukrainës dhe mbylljes së fushatës kualifikuese të Ligës së Kombeve në vendin e fundit, por kërkoi të shihej përpara nga Botërori 2026: “Pësuam një gol në minutën e 4-t dhe më pas në minutën e 9-të, kjo gjë të vret.

Nuk duhet të pësohen të tillë gola, na ka ndodhur edhe me Italinë, Çekinë, Kroacinë. Duhet të përmirësohemi në këtë pjesë. Në nivele më të ulta është më e lehtë ta kthesh rezultatin, ndërsa në të tilla nivele bëhet shumë e vështirë.

Kur shkuam në Europian, shkuam për shkak se bëmë mirë të gjithë së bashku, ndërsa sonte kemi bërë keq të gjithë së bashku. Duhet të përmirësohemi të gjithë së bashku. U kualifikuam duke qenë të parët në grup, sot me një barazim mund të kishim qenë në vendin e dytë.

Kemi grumbulluar 7 pikë në një grup të vështirë, ndoshta në një grup tjetër, mund të kishim kaluar. Sidoqoftë, duhet të mësojmë nga kjo situatë, të përmirësohemi në të ardhmen. Nuk mund të bënim zëvendësime të tjera, në pjesën e dytë kemi bërë ndryshimet e duhura.

Laçi edhe në Europian luajti pak djathtas. Të rikthesh rezultatin në një ndeshje të tillë, në nivele kaq të larta, është shumë e vështirë. Nisja e keqe e ndeshjes? Ky është një proces, duhet të rritemi.

Duhet të përmirësohemi nëse duam të ecim përpara. Duhet të ri-analizojmë se çfarë ka ndodhur në këto ndeshje. Nuk duhet lejuar të pësosh gola kaq herët. Nëse do të kishim qenë në një grup tjetër, me 7 pikë do të kishim pozicion më të mirë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit