Max Verstappen me Red Bull siguroi mbrëmjen e sotme “pole position” në pistën e Katar, aty ku ditën e diel do të zhvillohet gara e parafundit sezonale në Formula 1. Piloti holandez, që një javë më parë fitoi titullin e katërt kampion radhazi, ishte më i shpejti në pistë.
Ai dha kohën 1’20”520, duke lënë pas pilotin britanik të Mercedes, George Russell, i dyti. Më pas, në vendet 3-4, u klasifikuan dy pilotët e McLaren, me Lando Norris (i treti) që la pas shokun e tij të skuadrës Oscar Piastri (i katërti).
Një rezultat i mirë ku par makinën britanike, që duelon për titullin kampion për konstruktorë me Ferrari. Pilotët e “kokëkuqes” u renditën në vendin e pestë me Charles Leclerc dhe atë të shtatë me Carlos Sainz. Mes tyre Lewis Hamilton me Mercedes.
Mes 10 më të mirëve edhe Fernando Alonso (i teti), Sergio Perez (i nënti) dhe Kevin Magnussen (i dhjeti). Pasditen e së dielës pritet një garë e fortë, në një pistë që i lodh shumë pilotët, ku vëmendja është te titulli kampion për konstruktorë.