Max Verstappen priti dhjetë gara për të fituar përsëri në Formula 1, por gjithçka ia vlejti. Triumfi i jashtëzakonshëm në garën e Brazilit ditën e diel, duke e nisur atë nga vendi i 17-të, do të mbetet gjatë në mendjen e fansave të Formula 1.
Një fitore që afron pilotin holandez të Red Bull me titullin e katërt kampion bote, pasi tani ka +62 pikë ndaj Lando Norris. Madje ai mund të shpallet kampion bote që në garën e radhës, në Las Vegas, në rast se fiton dhe Norris merr vetëm 1 pikë.
“Ky ishte ndoshta rikthimi më i mirë i karrierës sime, paksa i ngjashëm me garën time të vitit 2016 këtu. Nuk fitova atëherë por kisha një ritëm shumë të mire. Gjithsesi, kjo ishte një ditë e çmendur”, u shpreh max Verstappen.
“Para garës isha shumë i zemëruar pas kualifikimit, ajo që ndodhi ishte shumë frustruese por më motivoi. Jam befasuar edhe vetë me rezultatin e garës, por në këto kushte shiu që u zhvillua gara ndihem mirë”, u shpreh holandezi.
Më tej, Verstappen tha: “Makina bëri atë që doja dhe kur ekziston ai kombinim, siç ishte viti i kaluar në shumë gara, ne jemi të pandalshëm. Është një rezultat shumë pozitiv për ne dhe shpresoj se tani e tutje mund të qëndrojmë jashtë telasheve”.