Verstappen penalizohet me 5 sekonda dhe humbet podiumin e garës sprint në Brazil, ja arsyeja

2 Nëntor 2024
18:00
Telesport
back button

Gara sprint e Çmimit të Madh të Brazilit në Formula 1 ka patur një surprizë në përfundimin e saj. Piloti holandez Max Verstappen, që u rendit në vendin e tretë, është penalizuar me 5 sekonda nga komisarët e garës. Për pasojë, ai ka zbritur në vendin e katërt.

Shkak i këtij penalizimi është një parakalim i gabuar që kampioni i botës në fuqi donte të bënte në xhiron e fundit ndaj Oscar Piastri me McLaren. Verstappen tentoi parakalimin në momentin që po largohej makina virtuale e sigurisë, në afatin kohor që njihet si “delta time”.

Sips rregullores, piloti i Red Bull nuk duhej ta kishte kryer atë manovër, por duhej të kishte pritur deri sa të largohej përfundimisht ikona “VSC” (Virtual Safety Car) nga sinjalizueset anash pistës. Pra duhej të priste deri sa të dilte drita jeshile për parakalim (pika 56.5 e rregullores).

Pasi panë pamjet televizive dhe thirrën pilotin për sqarim, erdhi vendimi për ta penalizuar me 5 sekonda. Në vendin e tretë u ngjit Charles Leclerc me Ferrari (fitues doli lando Norris me McLaren). Kështu, Verstappen humbet një pikë dhe tani udhëheq me 44 pikë ndaj Norris në renditjen e përgjithshme.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit