Piloti holandez Max Verstappen me Red Bull siguroi sot pasdite “pole position” në pistën e Imola, e vlefshme për garën e Cmimit të Madh të Italisë në Formula 1. Kampioni i botës dha kohën 1’14”746, duke qenë më i shpejti në pistë.
Në vendin e dytë dhe të tretë u klasifikuan dy makinat McLaren, me Oscar Piastri që la pas shokun e tij të skuadrës Lando Norris. Më pas, u renditën dy makinat Ferrari, Charles Leclerc (i katërti) që la pas Carlos Sainz (i pesti).
Nga Ferrari pritej një paraqitje disi më e mirë, por “kokëkuqja” përfundoi si pas Red Bull ashtu dhe pas McLaren, që konfirmoi se po kalon një moment të mirë pas triumfit në Majemi dy javë më parë.
Për Verstappen ky është “pole” nr.39 në karrierë, duke qenë në një formë të mirë. Krejt ndryshe makina tjetër Red Bull, ajo Sergio Perez, që u rendit në vendin e 11-të. Gjithsesi, pilotët ishin pranë njëri-tjetrit dhe pritet një garë e fortë të dielën.
Në dhjetëshen e parë u renditën sot edhe George Russell me Mercedes (i gjashti), Yuki Tsunoda me RB (i shtati), Lewis Hamilton me Mercedes (i teti), Daniel Ricciardo me RB (i nënti) dhe Nico Hulkenberg me Has (i dhjeti).