Këtë fundjavë, gara e radhës së botërorit të Formula 1 do të zhvillohet në pistën e Spielberg, në Austri, në shtëpinë e Red Bull. Piloti holandez Max Versatappen, 3 herë kampion bote me makinën austriake, ka zgjedhur pikërisht këtë pistë për të konfirmuar të ardhmen e tij (ka një kontratë deri në vitin 2028 me Red Bull).
“Të largohen nga Red Bull nëse nuk kanë më makinën më të mirë? Nuk mendoj se Formula 1 funksionon kështu. Nuk mund të thuash papritur “lamtumirë djema”. Nuk funksionon kështu. Unë kam një kontratë të gjatë me ekipin dhe jam shumë i kënaqur me pozicionin në të cilin jam”, tha Verstappen.
Pra, Verstappen ka vendosur të qëndrojë pavarësisht polemikave brenda skuadrës dhe zërave se mund të kalojë te Mercedes: “Jemi duke u fokusuar në vitin e ardhshëm dhe gjërat që mund të zbatojmë në makinë. Kështu që mendoj se kjo duhet të thotë mjaftueshëm se ku do të garoj vitin e ardhshëm”.
Duke folur për rivalitetin në pistë në garat e fundit, holandezi tha: “McLaren është shumë solid për momentin. Ata janë të fortë kudo, por ne po përpiqemi fort të vazhdojmë të përmirësohemi. Kjo është ajo që ne do të përpiqemi të bëjmë tani dhe në garat e ardhshme, të cilat mendoj se janë shumë të rëndësishme për të kuptuar se ku jemi”.