“Qershia mbi tortë” i mungoi Bayer Leverkusenit, duke u përballur me një ndjesi krejtësisht ‘të re’. Kampionët gjermanë u mposhtën nga super Atalanta e Gian Piero Gasperinit. Një mbrëmje për t’u harruar për djemtë e Xabi Alonso, të tronditur nga cilësia e lojës së Berat Djimsiti dhe shokëve të tij. Një humbje që i dha fund serisë së tyre shumë të gjatë si të pamposhtur, pas plot 51 ndeshjeve radhazi.
Gabimi i parë sezonal për kuqezinjtë, të cilët të shtunën në mbrëmje do të kenë mundësinë të marrin në shtëpi një tjetër trofe. Për këtë duhet fituar në Berlin finalja e Kupës së Gjermanisë kundër Kaiserslautern.
Bayer Leverkusen arriti një sukses historik në Bundesligë falë ecurisë rekord: 28 fitore dhe 6 barazime në 34 ndeshjet e luajtura, shifra që iu dhanë ‘aspirinave’ nofkën ‘Neverlusen’.
Në të kaluarën, askush nuk kishte arritur ta përfundonte Bundesligën i pamposhtur; madje as Bayern Munich, i cili në vitet 1986/87 dhe 2012/13 e mbylli kampionatin gjerman me një humbje.
Bayer Leverkusen nuk i zhgënjeu pritshmëritë as në “DFB Pokal”: 5 fitore në po aq ndeshje, në pritje të aktit final që të paktën mund t’i vlejë ‘dopietën’ sezonale.
Humbja 3-0 e pësuar nga Atalanta i dha fund serisë shumë të gjatë të pamposhtur të Bayer Leverkusen, pas 51 rezultatesh të dobishme radhazi, ose 361 ditësh, praktikisht një vit kalendarik.
“Nokauti” i fundit në fakt datonte më 27 maj 2023, kur ‘aspirinat’ u mposhtën me rezultatin 3-0 nga Bochum, në javën e fundit të Bundesligës.
Gabimi i fundit përtej kufijve kombëtarë përkoi me 1-0 në favor të Romës më 11 maj 2023, ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Evropës, e fituar më pas nga Sevilla kundër verdhekuqve në Budapest, mes një mijë polemikash arbitrimi.