Pep Guardiola e vëzhgoi me dëshpërim skuadrën e tij, Manchester City, teksa humbi përsëri, këtë herë 2-1 kundër Aston Villa. Katër herë radhazi kampionët e Premier League po kalojnë një moment tepër të vështirë. Ata kanë fituar vetëm një nga 12 ndeshjet e fundit, në të gjitha kompeticionet.
Manchester City e pa veten në disavantazh nga një gol i hershëm i Jhon Duran, pas një fillimi të dobët të ndeshjes. Megjithëse u rikuperua disi, duke krijuar disa raste, mbrojtja blu nuk qe kurrë e qetë. Aston Villa ishte shumë e rrezikshme në kundërsulme dhe Morgan Rogers mbylli gjithçka në pjesën e dytë.
Guardiola u duk i shkatërruar, i zhgënjyer dhe i hutuar gjatë gjithë ndeshjes, pasi Manchester City nuk arriti të përballej me kundërsulmet e kundërshtarit, mbrojtja e tij ishte tronditëse, me hapësira që konstatoheshin gjithandej.
Pep Guardiola foli për “TNT Sports”, pas humbjes ndaj Aston Villa: “Bëmë një pjesë të parë shumë të mirë, pjesa e dytë ishte e dobët. Ndryshuam presingun, sepse John Stones nuk mund të vazhdonte. Urime Aston Villa, le të vazhdojë kështu!
Në bllokun e mesëm, ata janë shumë të fortë. Kishim momente të mira, patëm raste, më shumë raste sesa në ndeshjen kundër Manchester United, por në pjesën e dytë u rrëzuam. Presingu ynë nuk ishte mjaftueshëm i mirë. Kishim vështirësi dhe nuk arritëm t’i ndalnim mirë kundërshtarët. Gjetëm një gol në fund, por ishte tepër vonë. Kemi vështirësi të shënojmë dhe pësojmë lehtë gola”.
Guardiola u pyet nëse ky Manchester City mund t’i gjejë më rezultatet pozitive: “Mund të ndodhë, mund të mos ndodhë. Varet nga ne. Zgjidhja është kthimi i lojtarëve të dëmtuar. Kemi vetëm një qendërmbrojtës të gatshëm, kjo është situatë tejet e vështirë. Do të përpiqemi në ndeshjen e ardhshme, një mundësi tjetër, nuk mendojmë më larg se kaq”.
Trajneri spanjoll u pyet gjithashtu nëse ka arsye më të thella për rezultatet e dobëta, përveç dëmtimeve: “Sigurisht që ka më shumë arsye. Ne pësojmë golat që nuk i pranonim më parë, nuk shënojmë golat që i shënonim më parë. Futbolli nuk ka vetëm një arsye, ka shumë faktorë të vegjël.
Duhet të mendojmë pozitivisht, kam besim të jashtëzakonshëm tek lojtarët e mi. Disa prej tyre kanë krenari dhe dëshirë të jashtëzakonshme për ta bërë këtë. Duhet të gjejmë një mënyrë, hap pas hapi. Herët a vonë do ta gjejmë rrugën e duhur”.
Guardiola konfirmoi se Stones nuk mundi të vazhdonte për shkak të dëmtimit dhe pranoi se duhet të ndryshojë qasjen për ta rikthyer Manchester City në rrugën e fitoreve: “Po. Duhet ta bëj. Të mbështes lojtarët e mi, kjo është ajo që do të bëj ndryshe. Kemi personalitete të mira në skuadër dhe herët a vonë do ta gjejmë rrugëdaljen”.