Vialli, Pessotto dhe letra prekëse e lexuar në fushë që i mallëngjeu të gjithë

7 Janar 2023
19:25
Denis Hakanaj
back button

Gianluca Pessotto, drejtues i Juventus-it, ka kujtuar me shumë emocion Gianluca Vialli-n pak minuta para fillimit të ndeshjes mes Juventusit dhe Udineses:

“Një personazh unik na ka lënë, – fjalët e drejtorit sportiv të ekipit të moshave për DAZN, – për shumë të rinj ai ishte një burim frymëzimi. Kur mbërrita isha fëmijë, Vialli ishte një nga të parët që takova në Torino.

“Për mua ishte menjëherë një emocion i madh. Vialli ishte një forcë lëvizëse, një lider i vërtetë. Mania e tij për përsosmëri na infektoi. Ai kërkonte shumë si nga vetja ashtu edhe nga shokët e tij të skuadrës: kjo ishte mënyra më e mirë për të krijuar një mentalitet fitues. Besonte shumë në vlerën e grupit”.

Pessotto, i cili ishte shoku i skuadrës së Vialli-t tek Juventus, më pas lexoi një letër prekëse në fushën e stadiumit pak çaste para fillimit të ndeshjes:

“Përshëndetje Luca. Jemi të sigurt që sonte je këtu diku mes nesh. Shumë prej nesh kanë ardhur për të të bërë të ditur se nuk do të të harrojmë kurrë, nuk do të ndalojmë kurrë të të duam. Ti ke qenë një udhërrëfyes, brenda dhe jashtë fushës. Shok ekipi, fitoresh. Kapiten, burrë.

“Askush nuk do të jetë në gjendje të harrojë ironinë tënde delikate, klasin tënd, karizmën tënde, këmbënguljen tënde. Askush nuk do të jetë në gjendje të harrojë emocionet që na dhe me magjitë dhe golat e tu.

“Do të na mungojnë shumë buzëqeshjet tua. Ne jemi në stadium gati për të të përqafuar, ashtu siç kemi qenë gjithmonë të gatshëm të gëzohemi për çdo magji tënden. Mirupafshim kapiten, udhëtim të mbarë. Të duam”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit