Nëse ka një portier që mbahet mend nga të gjithë dhe që sigurisht kush ka parë futboll shqiptar më herët e di… ai është Blendi Nallbani, ndryshe i thërritur me nofkën “Tata”, të cilën ia vendosi (siç vetë ai rrëfeu) nga legjenda Refik Resmja…
“Tata”, që debutoi me kombëtaren e Shqipërisë në moshën 17 vjeç në një stadium ikonik si “Ëembley” me gati 100 mijë njerëz në tribuna, gjithashtu ka debutuar me Partizanin pa mbushur ende 16 vjeç, pasi ishte 15 e disa muaj kur e thërritën për të shkuar në stol dhe për të qenë në derbin ndaj Dinamos, duke u aktivizuar në pjesën e dytë.
Pikërisht ai që u rrit përpara kohe, rrëfen ato vite në “Versus”, në ditët që afrojnë derbin e kryeqytetit mes Tiranës dhe Partizanit, klube me të cilën ka ndarë karrierën e tij. Nallbani, një tirons puro që luan nis karrierën te të kuqtë, teksa titujt i fiton më së shumti te bardheblutë.
Vite të vështira, vite kur të ishe futbollist ishte gjëja më e bukur sepse veç regjimit që kishe për ushqimin, merje dhe një rrogë të konsiderueshme, aq sa “Tata” ka rrëfyer për Telesport se “në atë kohë merrja dyfish rrogën e tim eti, sepse unë fitoja 10 mijë e 500 lek, kurse babai 5 mijë 500 ose 6 mije lek dhe paratë i çoja në shtëpi të gjitha, i dorëzoja”.
Ai tregon dhe vuajtjet e mëdha me fanellat dhe uniformat, sepse shpesh iu deshte t’i lanin në shtëpi dhe t’i thanin gati për ndeshje, aq sa merrte edhe tymin e sobës së drurit ndonjëherë. Mes rrëfimit, legjenda e portës thotë dhe “se na duhej që të shkonim në fonderi për të kërkuar doreza që nuk ishin portieri po për të duruar nxehtësinë dhe materialet e rrezikshme. Mezi prisnim ndonjë ndeshje jashtë për t’i kërkuar ndonjë portieri kundërshtar dorashkat”.