Vieira kundër legjendave të Arsenalit: Xhaka meriton më shumë respekt

13 Nëntor 2019
11:08
Alfred Lleshi
back button

Ish-kapiteni i Arsenalit, Patrick Vieira, pranon se ndjehet keq për situatën e Granit Xhakës dhe e mbështet mesfushorin shqiptar që ta kapërcejë “dramën” e fundit. 27-vjeçarit të Arsenalit iu hoq shiriti i kapitenit, pasi reagoi i zemëruar ndaj tifozëve të vet, muajin e kaluar, gjatë një zëvendësimi. Trajneri Unai Emery pranoi se e ardhmja e tij në “Emirates” tani është e pasigurt. Ndërsa shumë e kanë kritikuar Xhakën për sjelljen e tij, Vieira u pozicionua në anën e lojtarit të kombëtares së Zvicrës, duke theksuar se meriton më shumë respekt sesa po merrte.

“Më vjen keq për të, sepse ishte kapiteni i Arsenalit dhe po kalon një periudhë vërtet të vështirë, – tha Vieira për mediat britanike. – Unë mendoj se duhet të jemi objektivë, të mos harrojmë se Xhaka ka arritur shumë, që kur erdhi tek Arsenali. Pra, ai meriton shumë respekt. Kur jeni futbollist dhe nuk bëni atë që prisni, irritoheni me veten tuaj. Ndonjëherë thoni gjëra, ose bëni gjëra për të cilat ndihesh keq. Unë e kam vërtet të vështirë të kuptoj pse shumë ish-futbollistë kanë shfryrë me kritika kundër Xhakës. Për të qenë negativ ndaj tjetrit është shumë e lehtë.

Personalisht e di sa i mirë është ai dhe do ta kalojë këtë periudhë të vështirë. Xhaka është një njeri i fortë dhe lojtar i mirë. Jam i bindur se do ta tregojë se sa i mirë është”.

Vieira e kaloi pjesën më të madhe të karrierës së tij duke luajtur me “Topçinjtë”, por, gjithashtu, veshi fanellat e Juventusit, Interit dhe Manchester City. Pasi i “vari këpucët në gozhdë”, më 2011, ish-ndërkombëtar i Francës ka nisur rrugën e trajnerit. Pas dy vitesh në krye të New York City në MLS, Vieira aktualisht drejton Nice në Ligue 1.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit