Vieri bën “skanerin”: Milani dhe Interi meritojnë notën 10. Juve dhe Italia, dështim i çmendur

21 Maj 2022
9:13
Alfred Lleshi
back button

Një kampionat i bukur, i hapur për çdo verdikt deri në minutën e fundit të këtij sezoni. Për ta vlerësuar në këtë mënyrë është dikush që di shumë për futbollin e luajtur në nivele të larta, Bobo Vieri.

I intervistuar nga “Corriere della Sera”, ish-sulmuesi foli për garën e titullit në Serie A, duke theksuar pozitivisht aftësinë e Milanit për të formuar një grup: “Dy vite punë serioze kanë bërë diferencën. Rrugëtimi i Piolit në fushë dhe i Paolo Maldinit në zgjedhjen e lojtarëve është madhështor.

Ne kemi nevojë për kampionë që janë gjithashtu burra të një lloji të caktuar. Futbolli nuk është golf apo tenis, është një çështje e ekipit, e mekanizmave, guximit, respektit dhe bujarisë reciproke. Dhe Milani nuk dorëzohet kurrë”.

Një rrugë të ngjashme, sipas tij, e ka përjetuar edhe Interi, çka e dëshmon dueli kokë më kokë me kuqezinjtë për titullin:

“Deri tani do t’i jepja notën 10 Milanit dhe 9.5 Interit. Sigurisht që do të kishte diçka për të fituar te zikaltrit, edhe duke menduar për yllin e dytë. Megjithatë, nuk do të flisja kurrë për dështim. Në vitrinën e tyre janë shtuar edhe dy trofe të tjerë, për më tepër të rrëmbyer ndaj Juves.

Pastaj; rruga në Ligën e Kampionëve ishte e rëndësishme. Zikaltrit ishin konkurrues kudo. Kjo është ajo që një skuadër e madhe kërkon: të luash të gjitha frontet. Dhe Interi është me të vërtetë një ekip i madh”.

Një dështim për Bobo ishte sezoni i Juventusit, i cili e mbylli në vendin e katërt dhe pa asnjë trofe. Sidoqoftë, ai mbron Andrea Agnellin: “Një zhgënjim i madh. Nëse je te Juve, je në një nga klubet më të mëdha në botë. Nuk mund të prezantosh një shfaqje kaq të dobët. Tifozët fishkëllejnë Agnellin pa kuptim. Çfarë duhet të presësh më shumë nga Andrea Agnelli? Në janar mori edhe Vlahovicin për një “thes me para”.

Një reflektim mjaft i hidhur edhe mbi dështimin e Italisë për të marrë pjesë në Botërorin e këtij viti: “Dështim i çmendur, më duket një shaka. Brazili, Gjermania dhe Italia janë liderët e Kupës së Botës, nuk mund të mungojnë kurrë.

Zhgënjimi im nuk lidhet me ‘play-off’-in, ku çdo gjë mund të ndodhë gjithmonë, por me Zvicrën, Bullgarinë dhe Irlandën e Veriut. Duhet të kishim fituar ndaj tyre, nuk ka asnjë justifikim”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit