Vieri rrëfehet për gjithçka: Pa futboll, do të kisha luajtur kriket. Do të isha bërë bomber edhe atje

19 Dhjetor 2024
10:01
Alfred Lleshi
back button

Christian Vieri, legjenda e Serie A, gjatë një eventi në Milano, komentoi mbi disa tema të lidhura me futbollin dhe karrierën e tij.

Promovimi i futbollit italian – “Bashkë me legjendat e tjera shkojmë anembanë botës për ta promovuar kampionatin tonë. Mendoj se futbolli ynë po rikuperon në mënyrë të jashtëzakonshme. E shohim këtë jo vetëm me fjalë, por edhe me fakte: Interi në finalen e Champions League, Atalanta fitoi ‘Europa League’, Roma fitoi ‘Conference League’ dhe Fiorentina që ka luajtur dy finale radhazi. Kjo tregon përmirësimin e ekipeve tona çdo vit”.

Solidariteti dhe grupi – “Grupi është gjithmonë thelbësor. Duhet të qëndrojmë larg komenteve të gazetarëve që shpesh krijojnë konfuzion. Kur punon si grup, edhe individi shkëlqen, por vetëm kur grupi është i fortë”.

Fillimet dhe familja – “Isha në Australi dhe fillova të luaja si mbrojtës i majtë. Pas 6 muajsh kisha shënuar më shumë gola se sulmuesit, ndaj kërkova të luaja përpara. Në Itali, gjyshi im ishte personi i vetëm që besonte tek unë. Ai më premtoi 5000 lireta për çdo gol, në ndeshjen e parë shënova 4 gola”.

Karriera dhe momentet kyçe – “Tre trajnerë më ndryshuan jetën: Rampanti te të rinjtë e Torinos; Mondonico, që më dha debutimin dhe më mori tek Atalanta; dhe Cesare Maldini, që më udhëhoqi në kombëtare. Ata më drejtuan në rrugën e duhur”.

Pasioni dhe sakrificat – “Në futboll, si në jetë, duhet të japësh gjithçka për të arritur qëllimet. Sakrificat janë të domosdoshme. Ndërsa të tjerët dilnin, unë qëndroja për t’u stërvitur. Pa futboll, do të kisha luajtur kriket. Do të isha bërë bomber edhe atje”.

Personaliteti dhe suksesi – “Kam një karakter të fortë. Nëse dua të bëj diçka, e bëj. Kur të gjithë thonin se isha i dobët teknikisht, i ngadalshëm, apo i rëndë, vazhdova përpara dhe arrita objektivat e mia”.

Momentet më të vështira dhe mësimet – “Kam pasur zhgënjime, si humbja e finales së Champions League me Juventusin apo 5 maji me Interin. Sidoqoftë, ato janë pjesë e sportit”.

Vieri dhe jeta që bën – “Sot jam një ish-sportist, me pak peshë më shumë. Pas futbollit, jeta ime ndryshoi. Dy vajzat e mia janë golat më të rëndësishëm që kam shënuar ndonjëherë”.

Mesazh për të rinjtë – “Stërvituni dhe mos u dorëzoni kurrë! Ndiqni ëndrrat tuaja pa dëgjuar askënd që ju dekurajon”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit