Vinicius del kundër tifozëve të Real Madridit: Fyerjet e tyre raciste ndaj Lamine Yamal, të mjerueshme

28 Tetor 2024
11:08
Alfred Lleshi
back button

“Ajo që ndodhi në ‘Bernabéu’ me ofendime raciste është për të ardhur keq. Nuk ka vend për këta kriminelë në shoqërinë tonë. Jap gjithë mbështetjen time për Lamine, Ansu dhe Raphinha. E di që Real Madridi dhe policia do të bëjnë gjithçka për t’i identifikuar dhe dënuar fajtorët”.

Vinicius Junior e shkroi këtë mesazh në rrjetet sociale, në mbështetje të tre lojtarëve me ngjyrë të Barcelonës, të cilët u ofenduan gjatë “El Clasico” së fundit, të fituar 4-0 nga blaugranët në kryeqytetin spanjoll. Një tjetër afishim i qartë i sulmuesit brazilian kundër racizmit në futboll, edhe pse duhej të ishte i pikëlluar nga disfata 4-0 në “Bernabeu”.

Vinicius konfirmon kësisoji standardin e njëjtë për raste të tilla, duke dënuar jo vetëm tifozët kundërshtarë, që e kanë ‘shënjestruar” atë për ngjyrën herë pas here, por edhe fansat e Real Madridit, të cilët e kaluan cakun ndaj kolegëve të tij katalanas.

Ndërkohë, sonte, sipas të gjitha gjasave, Vinicius Jr. do të fitojë “Topin e Artë” për vitin 2024. Paraprakisht, sulmuesi amerikano-jugor pati njëlloj dedikimi për triumfin e pritshëm në çmimin ptrestigjioz të “France Football”: “Tifozët e Brazilit dhe anembanë botës janë gjithmonë të rëndësishëm.

Ata gjithmonë më kanë mbështetur, që kur kam mbërritur te Real Madridi në moshën 18-vjeçare. Gjithmonë kam thënë se doja që të gjithë brazilianët të më mbështesnin për ta fituar këtë çmim, shpresoj që të hënën të kurorëzohem”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit