Vinicius Junior është një nga lojtarët kryesorë të Real Madridit, edhe në këtë fillim të sezonit. Pavarësisht se skuadra e drejtuar nga Ancelotti nuk e ka filluar në mënyrën më të mirë, as me lojë dhe as me rezultate, sulmuesi brazilian ka treguar formën e tij më të mirë në ndeshjet e fundit.
Falë performancave të shkëlqyera të tij në La Liga, ekipi “merengues” ka arritur të qëndrojë në garë me Barcelonën për kreun e kampionatit. Si rezultat, Vinicius është shpallur fitues i çmimit “Lojtari me 5 Yje” i “Mahou” për muajin tetor.
Pas marrjes së çmimit, Vinicius u shpreh se skuadra po “punon fort për të fituar ndeshjet e rëndësishme”, që i presin deri në fund të vitit. Sfida e parë do të jetë të mërkurën e ardhshme në “Anfield”, ku do të përballen me Liverpool-in.
Real Madridi ka nevojë për një fitore, që të mbetet në garën e Champions League, pasi ka pësuar 2 humbje në fazën e grupeve, kundër Lille dhe Milan. Momentalisht ka vetëm 6 pikë në renditje, pas 4 ndeshjesh.
Ndërkohë, sulmuesi i krahut të majtë brazilian falënderoi tifozët për mbështetjen e tyre, duke theksuar se kjo e ka bërë të ndihet krenar: “Jam shumë i lumtur me dashurinë e gjithë madridistëve, ky çmim është një krenari për mua”.
Lojtari i Real Madridit ka shënuar 5 gola në 6 ndeshjet e fundit që ka luajtur. Forma e shkëlqyer e tij është shpresa kryesore për Carlo Ancelottin, i cili i ka dhënë të gjitha përgjegjësitë në sulm: “Kam shënuar disa gola dhe kam zhvilluar ndeshje të mira, gjithashtu.
Shpresoj të vazhdoj kështu deri në fund të sezonit për të ndihmuar në fitimin e trofeve. Duhet të jemi në formën tonë më të mirë, si teknikisht, ashtu edhe fizikisht. Ne jemi Real Madridi dhe gjithmonë duhet të shfaqemi të përgatitur”.