Divorci është në proces mes Wanda Nara dhe Mauro Icardit. Sikurse duket, sipërmarrësja ka hartuar një strategji inteligjente që, me ndihmën e ish-bashkëshortit të saj Maxi Lopez, mund ta ndihmojë që ta përballojë më mirë situatën. Moderatorja dhe futbollisti i Galatasaray po grinden kryesisht për vendbanimin e vajzave të tyre.
Francesca dhe Isabella kanë lindur në Itali, por kanë jetuar vitet e fundit në Stamboll. Nëna dëshiron që ato të qëndrojnë në Argjentinë me të, pasi ka shumë projekte pune atje, ndërsa babai dëshiron që të jenë në Turqi me të.
Mauro Icardi ka kërkuar divorcin nga Wanda Nara në Itali. Dhe duket se ka krijuar një plan për të përfituar më shumë. “Wanda Nara do t’i çojë tre djemtë e saj në Europë për t’i kaluar Krishtlindjet për herë të parë me babanë e tyre”, – ka thënë gazetari Gustavo Mendez në Instagram.
Më pas ai ka shpjeguar arsyet e kësaj zgjedhjeje: “Maxi Lopez jeton në Zvicër, afër Italisë, kështu që moderatorja e ‘Bake Off’ do të qëndrojë në Milano për të takuar avokatët e saj dhe folur mbi divorcin e akuzat ndaj Mauro Icardit”.
Kështu, avokatët e showgirl-it do të kenë mjaft kohë për t’u përgatitur për gjyqin, në të cilin do të përballen me Icardin, dhe do të gjejnë mënyrën më të mirë për ta bindur gjykatësin që vajzat duhet të jetojnë me Nara. “Do të ndodhë pas 10 dhjetorit, pasi ajo ditë është ditëlindja e saj”, – ka sqaruar Mendez.
Nuk është ende e qartë nëse Wanda Nara do të kthehet në Itali me të dashurin e saj të ri, L-Gante. Duket se reperi është i angazhuar me regjistrimet e albumit të tij të ri, por për dashurinë e re ai mund të ndryshojë mendje. Ndërkohë, është e njohur që Maxi Lopez dhe Mauro Icardi nuk flasin më që kur i dyti filloi lidhjen me Wanda, më shumë se 10 vite më parë. “Kam marrëdhënie vetëm me fëmijët e mi dhe ish-gruan time”, – ka theksuar Maxi në një intervistë.