Në intervistën e gjatë të dhënë për “As”, në të cilën zbuloi se Real Madridi pagoi mbi 103 milionë euro për të nënshkruar me Jude Bellingham, Hans-Joachim Watzke trajtoi edhe çështje të tjera në funksion të finales së Ligës së Kampionëve mes Borussia Dortmundit të tij dhe “Los Blancos”.
Çfarë ju kujton 28 maj 1997?
Ne fituam Ligën e Kampionëve të parë dhe të fundit. Ishte një ndeshje tipike e Borussia Dortmundit. Emocionohemi kur përballemi me kundërshtarë të fortë, kjo është në ADN-në tonë. Atëherë Juventusi ishte si Real Madridi sot, kishte një ekip të madh. Ne kishim pak fat, por është pjesë e lojës. E përjetova atë finale në tribuna si çdo tifoz tjetër, sepse kam filluar të punoj për klubin më vonë.
Ka kaluar më shumë se një çerek shekulli. Çfarë keni bërë ju dhe Borussia Dortmund në këtë kohë?
Shumë gjëra. Kemi përjetuar ulje-ngritje të panumërta, por ndryshimi kryesor në krahasim me finalen ndaj Juventusit është kësaj here do të përballemi me një ekuilibër total midis suksesit sportiv dhe atij ekonomik. Nuk ndërtojmë më kështjella në ajër, gjithçka është ndërtuar mbi baza shumë të forta. Pavarësisht kufizimeve tona financiare, jemi sërish në finalen e Ligës së Kampionëve. Ne shpenzuam më pak nga ata që luajtën në çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Është një kënaqësi e madhe.
Si bleni me çmim të ulët dhe pastaj shisni shumë shtrenjtë?
Në fillim, blerja e lirë ishte e vetmja gjë që mund të bënim. Pastaj, pak nga pak filluam të shisnim mirë, por pa i kërkuar askujt të bënte ofertë për lojtarët tanë. Ata na i morën yjet pa mundur të bënim asgjë, sigurisht. Nuk doja të hiqja qafe Lewandowski, Götze, Haaland apo Bellingham. Nga ana tjetër, të gjitha këto transferime janë dëshmi e punës së madhe që kemi bërë në nivel sportiv gjatë gjithë këtyre viteve.
A e ka dashur Haaland edhe Real Madridi?
Edhe sikur ta dija, nuk do ta thoja. Situata ishte shumë ndryshe, duke pasur parasysh që Erling kishte një klauzolë në kontratën e tij. Thjesht duhej ta ushtronim atë, pa folur shumë. Mendoj se Real Madridi tashmë e kishte një ide të qartë për objektivin e vet në sulm (Mbappe).
A e keni konsideruar Xabi Alonso për stolin?
Jo, për faktin e thjeshtë se pankina jonë ishte e zënë. Por së fundmi i thashë Fernando Carros se nënshkrimi i Xabit më kujtoi kohën kur nënshkruam me Klopp.
A është Real Madridi favorit në finalen e “Wembley”?
Po, por le të shohim se çfarë ndodhi në Dublin. Nga 10 ndeshje kundër Atalantës, jam shumë i sigurt që Leverkusen do të fitonte 8 prej tyre. Atalanta luajti sikur të ishte ndeshja e fundit në historinë e saj dhe kjo është ajo që na duhet edhe neve. E kemi mundur PSG-në dy herë, do të jemi në gjendje të luajmë në të njëjtën mënyrë. Shpresoj të jemi në gjendje ta fitojmë këtë finale. Është një e vërtetë historike: Real Madridi kurrë nuk kanë humbur një finale të Ligës së Kampionëve. Sidoqoftë, ka gjithmonë një herë të parë.