WBC jep “OK” për Fury-Usyk, fituesi do të duelojë me Wilder në 2023-shin

24 Nëntor 2022
10:04
Gentian Spiri

Duket se koha për të patur një kampion të vetëm bote në peshën e rëndë po afron. Dy kampionët aktualë, britaniku Tyson Fury (WBC) e ukrainasi Oleksandr Usyk (WBA, WBO, IBF) pritet të përballen mes tyre në muajt e parë të vitit të ardhshëm. Lajmin e konfirmoi për “Sky Sports” presidenti i WBC, Mauricio Sulaiman.

Gjithsesi, kjo përballje mes dy kampionëve do të konfirmohet vetëm pas 3 dhjetorit, datë kur Fury do të ngjitet në ring për të dueluar ndaj patriotit të tij Dereck Chisora, në Londër. “Ka një interes shumë të madh për të zhvilluar këtë përballje mes Fury dhe Usyk. Të shohim se kur mund ta organizojmë”, tha Sulaiman.

“WBC ka qenë shumë e angazhuar për të zhvilluar një sfidë që do të unifikonte titujt kampionë bote. Ne jemi përpjekur prej kohësh, edhe për sfidën mes Joshua e Wilder disa vite më parë, por nuk ndodhi. Kemi mbështetur Fury që të duelojë ndaj Joshua dhe tani do të kërkojmë këtë duel mes Fury dhe Usyk”, tha më tej Sulaiman.

Nëse do ta organizojmë, do të ishte një përballje e madhe për sportin e boksit. Duket sikur jemi në momentin e duhur për ta zhvilluar këtë sfidë. Më pas, fituesi do të përballej me Deontay Wilder në fund të vitit 2023. Ky ëhstë skenari që ne ëndërrojmë për të ardhmen. Natyrisht që edhe Wilder do të ketë një sfidë në pranverën e vitit tjetër e duhet të fitojë”, tha presidenti i WBC.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit