Trajneri i Bayer Leverkusen, Xabi Alonso foli për “Rai” pas ndeshjes së dytë gjysmëfinale të “Europa League” kundër Romës, e cila përfundoi me barazimin 2-2. Kampionët e rinj gjermanë e panë veten në disavantazhin 2-0, por gjetën forca të kthejnë ekulibrin rezultativ dhe të kualifikohen në finale (kishin fituar 2-0 në “Olimpico”, në gjysmëfinalen e parë).
A e kishit imagjinuar ndonjëherë se do të ishte kaq e vështirë?
E imagjinoja, tashmë ishte e vështirë qysh në Romë. Pësuam dy gola nga episodet, nuk duhet të harrojmë atë që krijuam. Më pëlqeu shumë reagimi i skuadrës sime. Vitin e kaluar u afruam me finalen, këtë vit e arritëm atë. Tashmë, në finale do të takohemi sërish me një kundërshtar italian.
Atalanta thonë se ngjason shumë me ju si skuadër…
Roma ishte gjithashtu shumë e mirë në përpjekjet për të na sulmuar. Atalanta drejtohet nga Gasperini për shumë vite, është një skuadër e konsoliduar. Do të jetë mirë t’i sfidojmë ata.