Në konferencën për shtyp para ndeshjes Bayer Leverkusen-Inter, trajneri i skuadrës gjermane, Xabi Alonso, kishte vetëm fjalë të mira për zikaltrit dhe kolegun e tij Simone Inzaghi.
“Është një nga skuadrat më të forta në Europë, shpresojmë të jemi gati, – tha spanjolli.
– Interi është një skuadër fituese, që luan shumë mirë. Ka ide të qarta dhe e di çfarë të bëjë gjatë ndeshjes, e drejtuar nga një trajner i shkëlqyer. Dy vite më pare, zikaltrit arritën në finale, ne mësojmë shumë duke i parë”.
Nuk ka dyshime për qëllimin e Bayer-it: “Duam të kualifikohemi mes 8 më të mirëve, kemi gjithçka që na duhet për ta arritur këtë”.
Xabi Alonso shpreson ta rikuperojë Patrik Schick: “Po i afrohet formës së tij optimale, ndihet më mirë. Të martën në mëngjes do ta vlerësojmë nëse do të jetë në gjendje të luajë nga fillimi apo gjatë lojës”.
Bayer ka humbur vetëm 3 nga 75 ndeshjet e fundit. “Mos e thoni me zë të lartë, – nënvizoi me shaka Xabi Alonso. – Kjo tregon shumë për këtë klub dhe këtë skuadër. Mendoj se kemi bërë shumë përmirësime, gjithmonë duam të luajmë për të fituar. Do të përpiqemi me të gjitha mënyrat edhe ndaj Interit, duam të kualifikohemi mes tetë më të mirëve. Qëllimi ynë është të provojmë të fitojmë në çdo kompeticion. Kësaj here na pret një ndeshje tjetër e madhe”.
Një vëmendje e veçantë për ish-lojtarin Hakan Çalhanoglu: “Nuk mendojmë për individët, por padyshim ai është një lojtar që ka ndikim të madh në lojë. E kujtoj kur luante këtu, ishte një numër 10. Loja e tij ka ndryshuar shumë me kalimin e kohës. Ai është lojtar kyç për Interin, ashtu siç është Kimmich për Bayern Munich”.
Për mundësinë e trajningut në Itali: “Nuk mbyll asnjë derë për të ardhmen, por për momentin, fokusi im është tërësisht te Bayer Leverkusen”.







