​​Xavi, i zhgënjyer nga fjalët e Pedrit dhe klubit. Mendon se duan ta diskreditojnë te Barcelona

18 Shtator 2024
10:54
Alfred Lleshi
back button

Barcelona e filloi shumë fuqishëm në La Liga, duke fituar 5 ndeshjet e para të saj. Një nga dallimet kryesore në krahasim me sezonin e kaluar është padyshim trajneri, duke qenë se Xavi nuk është më në stol, por gjermani Hansi Flick. Pas ndeshjes së fundit, Pedri nënvizoi se si lojtarët punojnë më shumë se më parë me trajnerët e rinj atletik dhe se skuadra nuk bie fizikisht në minutën e 70-të apo të 80-të.

Sipas asaj që raporton “As”, ish-trajnerit Xavi nuk i kanë pëlqyer këto deklarata, edhe sepse kur arriti të fitonte titullin me Blaugranët, të dhënat e mbledhura nga “Mediacoach” nxirrnin në pah se si Barcelona ishte klubi më i mirë në nivel atletik. Ish-trajneri është habitur vërtet nga fjalët e mesfushorit, por edhe nga disa mesazhe që vijnë nga klubi katalanas, pas lamtumirës së tij.

Xavi, aktualisht pa ekip, beson se një fushatë është duke u zhvilluar brenda Barcelonës për të diskredituar një nga lojtarët më të mirë në historinë e klubit katalanas dhe lavdëruar punën e Flick.

Xavi e mbrojti Pedrin pavarësisht dëmtimeve të shumta, e kishte lojtar të paprekshëm, ndaj nuk i pëlqen fare ajo që thotë. Ish-mesfushori ishte në pankinën blaugrana nga 6 nëntori 2021 deri më 30 qershor 2024, duke e udhëhequr ekipin katalanas në 143 ndeshje. Gjatë kësaj periudhe, Xavi grumbulloi mesatarisht 2.07 pikë për ndeshje, fitoi edhe titullin e La Liga-s dhe Superkupën e Spanjës.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit