Xavi për shkarkimin: Rroftë Barça, nuk kam zgjidhje tjetër veçse ta pranoj vendimin…

25 Maj 2024
13:35
Alfred Lleshi
back button

Një ditë para ndeshjes së fundit të kampionatit ndaj Sevilla, ose një ditë mbas shkarkimit, Xavi Hernandez doli në konferencë për shtyp, ku sqaroi shumë gjëra që lidhen me të dhe klubin që po e lë, por pa i mbyllur dyert e rikthimit.

Nuk ka asnjë hatërmbetje të dukshme në fjalët e tij, madje legjenda e klubit katalanas ka lënë të kuptojë se do t’i qëndrojë premtimit, nuk do të kërkojë zbatimin e plotë të kontratës, pra të paguhet edhe për vitin e saj të mbetur, pas shkarkimit të njëanshëm.

Konferenca për shtyp e tij përfundoi me këtë mesazh të fundit: “Faleminderit të gjithëve! Edhe nëse nuk e besoni, do të më mungoni. Rroftë Barça!” Ja deklaratat më pikante të Zavi Hernandez:

PËR LAMTUMIRËN E TIJ: “Kanë qenë disa ditë të vështira, por e kam ndërgjegjen e pastër. Jam krenar dhe i kënaqur për këto dy vite e gjysmë. Sot fola me stafin dhe lojtarët, për të cilët mendoj se mund të jemi krenarë, sepse nuk ishte një situatë e lehtë. I dhamë të gjitha, është bërë një punë e mirë, edhe pse këtë vit objektivat nuk janë përmbushur. Eksperienca ka qenë spektakolare dhe mësimi i jashtëzakonshëm. Dua ta përfundoj në mënyrën më të mirë të mundshme dhe të shijoj ndeshjen e fundit si trajner i Barçës, gjë që ka qenë një nder dhe kënaqësi”.

PËR TAKIMIN ME LAPORTA: “Dje fola me presidentin, më transmetoi arsyet e tij pse mendon se duhet ndryshuar trajneri. Unë thjesht duhet ta pranoj vendimin, është presidenti që i merr të gjitha vendimet e klubit. Personalisht do të jem gjithmonë në dispozicionin e Barçës. I dhamë dorën njëri-tjetrit, një përqafim dhe i uruam njëri-tjetrit më të mirën. Unë do të jem një ‘culé’ më shumë, i uroj më të mirën presidentit, drejtorit sportiv dhe lojtarëve”.

MË SHUMË PËR LAMTUMIRËN E TIJ: “Ata kanë vendosur kështu, duke menduar se duhet një ndryshim drejtimi në ekip. Unë mbeta i motivuar, kisha ambicien e paprekur me këtë skuadër, por nuk mund të vazhdonte më tej”.

NËSE AI MUND TË KTHEHET: “Do të doja, është klubi i jetës sime. Kemi qenë në një rul emocionesh dhe shpresoj të më jepet rasti të kthehem. Nuk e imagjinoja këtë lamtumirë, por gjithçka që mund të bëj është ta respektoj atë”.

SITUATA E KONTRATËS: “A do të heq dorë nga paga e mbetur? Unë i jam përgjigjur kësaj pyetjeje më parë dhe gjithmonë e mbaj fjalën”.

SËRISH PËR RIKTHIMIN: “Do të doja shumë të kthehesha te Barça një ditë, sepse është klubi i jetës sime, gjithmonë e kam thënë këtë. “Nuk po ia mbyll dyert Barçës dhe mundësisë për t’u rikthyer në klub një ditë”.

SI E PRITI SHKARKIMIN: “E respektoj vendimin e presidentit për të më shkarkuar, është ai që vendos. Unë gjithmonë do të jem tifoz i Barcelonës dhe mbështetës i klubit”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit