Xavi Hernández u shfaq para mediave, teksa e ardhmja e tij duket më shumë jashtë sesa brenda Barcelonës. Sidoqoftë, trajneri katalanas qëndroi i vendosur në një konferencë për shtyp, që ishte më e shkurtër se zakonisht: “Klubi më transmeton qetësi, ne vazhdojmë me të njëjtin entuziazëm dhe ambicie për këtë sezon dhe sezonin e ardhshëm. Drejtuesit më transmetojnë qetësi, asgjë nuk ndryshon.
Nuk më intereson se nga vjen zhurma mediatike. Më intereson të kem besimin e presidentit, i cili është i paprekur, edhe atë të Deco. Natyrisht, më intereson edhe besimi i zv. presidentit sportiv. Ata më transmetojnë besim dhe qetësi. Për mua asgjë nuk ka ndryshuar”.
Xavi, nga ana e tij, pranoi se duhet të flasë me presidentin për të sqaruar situatën: “Ne do të ulemi, jemi në kontakt të përhershëm. Nëse duhet të flasim për diçka, do ta bëjmë. Gjithçka është siç ishte tri javë më parë, që u ulëm këtu. Ka një bazë të jashtëzakonshme në skuadër për të bërë gjëra të mëdha”.
Xavi donte të konkludonte: “E kuptoj që media duhet të publikojë ndonjë gjë, por për mua asgjë nuk ka ndryshuar. Nëse ka ndonjë ndryshim, do t’ju tregoj. Jam i qetë dhe mezi pres ndeshjen e nesërme. Deklaratat e mia para ndeshjes kundër Almeria? Pse t’iu përgjigjem atyre që shpikin mediat, presidenti nuk më ka transmetuar asnjë shqetësim të tillë. Ai më ka thënë se është shumë e rëndësishme fitorja për të siguruar vendin e dytë”.
Për gjendjen shpirtërore të tij, në një situatë të tillë kaotike, sikurse e prezanton media: “Jam i lumtur, sepse ndodhem në klubin më të mirë në botë. Kritikat më bëjnë më të mirë, asgjë nuk ndryshon. Jam i etur të provoj se mund të mbetemi konkurrues. Ky sezon nuk na ka dhënë shumë, por jam i bindur se gjërat mund të shkojnë mirë”.