Pas përfundimit të ndeshjeve të deritanishgme në grupe është përcaktuar sfida e parë e fazës së 1/8-ave mes Zvicrës dhe Italisë. Një përballje që do të luhet të shtunën (29 qershor), ora 18:00.
Ai që ka folur përparaqitjet e deritanishme të skuadrës zvicerane është kapiteni Granit Xhaka: “Zvicra fitoi respekt të mëtejshëm falë ndeshjes kundër Gjermanisë. Dhe mendoj se festa e çmendur e gjermanëve pas barazimit është dëshmi e kësaj. Kjo tregon shumë për forcën tonë”.
Skuadra helvete e mbylli në vendin e dytë Grupin A. “Ne e mbyllëm grupin të pamposhtur dhe me një ndeshje që nxori në pah të gjithë karakterin tonë. Reaguam në mënyrë të shkëlqyer ndaj Skocisë pasi ishim në disavantazh”, tha Xhaka.
Më tej, mesfushori me origjinë shqiptare tha: “Ekipi ka treguar këtu urinë e madhe që ka për të fituar dhe shkuar përpara. Kemi një ekip me një mentalitet krejtësisht të ndryshëm dhe me vullnet të jashtëzakonshëm”.
“Italia është një ekip i fortë, kampion në fuqi në Europian, por edhe ne jemi aty gati për të befasuar sërish. Nuk ka asgjë të pamundur dhe jemi në rritje, çka mund të na ndihmojë në sfidat e radhës”, tha Xhaka.