Granit Xhaka foli pas përmbysjes (nga 2-0 në 2-2) ndaj Romës, çka siguroi kalimin në finale e Ligës së Europës për këtë edicion. Kujtojmë se gjysmëfinalja e parë në “Olimpico” të kryeqytetit Italian pati përfunduar me fitoren 2-0 të kampionëve të rinj gjermanë.
Mesfushori shqiptar nënvizoi: “Ne patëm raste të pastra, sidomos në pjesën e parë, por edhe në të dytën. Për fat të keq pësuam dy herë, në vend që t’i shënonim, por u rikthyem kundër një ekipi me shumë përvojë. Është e pabesueshme si ia dolëm të mos humbasim edhe kësaj here, jemi në finale, është një ëndërr e realizuar”.
Xhaka vijoi më tej: “Në të tilla ndeshje të rrëqethet mishi. Ju ëndërroni të përjetoni atmosfera dhe ndeshje të tilla. Si fëmijë do të donit të ishit pjesë e ndeshjeve të tilla, është vërtet e pabesueshme si barazuam pak sekonda para fundit. Tani do ta shijojmë plotësisht këtë mbrëmje”.